Kampionati Kombëtar 5x5 / Kalaja shpallet kampione në zonën e Korçës & shkon në play-off - FSHF

Kampionati Kombëtar 5×5 / Kalaja shpallet kampione në zonën e Korçës & shkon në play-off

Kampionati Kombëtar i futbollit 5×5, një nga risitë më të rëndësishme të Federatës Shqiptare të Futbollit në futbollin amator, po vjen në fazën më të nxehtë të sezonit. Skuadra MFC Kalaja është shpallur kampione e Zonës së Korçës pas 14 javësh të luajtura, duke grumbulluar 35 pikë me 11 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, ndërsa është aplikuar sistemi i ndeshjeve vajtje-ardhje.

Në ceremoninë e rastit të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, djemtë e skuadrës MFC Kalaja kanë marrë edhe trofeun e kampionit të kësaj zone rajonale. Kjo skuadër do të përfitojë 75 mijë lekë premio dhe 5 topa futbolli nga FSHF.

Gjithashtu, skuadra MFC Kalaja do të marrë pjesë në fazën play-off ku do të përballen të gjitha skuadrat kampione të zonave rajonale për të shpallur kampionen e parë të Shqipërisë në Kampionatin Kombëtar 5×5.

Ndërkaq, vendi i dytë në zonën e Korçës shpallet skuadra Vila Teo, që do të përfitojë premion prej 25 mijë lekësh dhe 5 topa futbolli.

Duke folur për Fshf.org, dy lojtarët e skuadrës MFC Kalaja, Griseld Çekiçi dhe Elton Kllogjri janë shprehur të lumtur për këtë iniciativë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe për fitimin e titullit kampion të zonës së Korçës. Ata kanë vlerësuar edhe nivelin e organizimit të këtij kampionati, që po merr shumë vëmendje dhe popullaritet nga dita në ditë.