Kampionati Kombëtar 5×5 / Balldreni shpallet kampion në zonën e Lezhës - FSHF

Kampionati Kombëtar 5×5 / Balldreni shpallet kampion në zonën e Lezhës

Risia e Federatës Shqiptare të Futbollit në këtë sezon, kampionati i futbollit 5×5 po shkon drejt fundit, teksa kampionati ka përfunduar në disa zona si Korça, Durrësi, Elbasani si edhe Lezha, ndërsa ka mbetur pa përfunduar ende kampionati në zonën e Tiranës.

Kampionati Kombëtar i futbollit 5×5 ka përfunduar ditën e djeshme edhe në zonën e Lezhës, me ekipin e Balldrenit që është shpallur kampion në këtë sezon, duke luajtur 18 javë dhe duke grumbulluar 47 pikë në total.

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një ceremoni rasti, ku fituesve i është dorëzuar trofeu dhe medaljet e kampionëve nga ish-futbollisti i njohur i ekipit të Besëlidhjes, Hasan Hoxha. Gjithashtu, ekipi i Balldrenit do të përfitojë si premio 75 mijë lekë të rinj dhe pesë topa futbolli nga FSHF-ja.

Skuadra lezhjane do të jetë pjesë e fazës play-off, ku skuadrat kampione të çdo zone dhe katër skuadrat gjymsëfinaliste të Zonës së Tiranës do të përballen me njëra-tjetrën, për të përcaktuar edhe fituesin Kombëtar të këtij kampionati të parë.

Pas ndeshjes, për fshf.org u prononcua ish-futbollisti Hoxha dhe një nga lojtarët e ekipit të Balldrenit, Alfred Vulaj, të cilët u shprehën të lumtur për organizimin e këtij kampionati nga Federata e Futbollit, duke e parë si një mundësi të mirë argëtimi.

Hasan Hoxha u shpreh: “Falenderoj të gjithë ekipet pjesëmarrëse që morën pjesë në këtë aktivitet të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, për futbollin 5×5. Skuadra që doli fituese ishte skuadra e Balldrenit, me meritë. Kjo risi e Federatës së Futbollit është më tepër për t’u argëtuar, por edhe mundësitë që ka Lezha si qytet, me të gjithë këto ambiente sportive, janë plotësuar të gjitha kushtet që rinia të merret me futboll”- tha në fjalën e tij Hoxha. 

Ndërsa futbollisti Alfred Vulaj tha: “Ishte një ide e bukur nga Federata për zhvillimin e këtij kampionati, ishte kënaqësi edhe për ne që morëm pjesë. Ne e shohim si diçka argëtuese këtë gjë, me të vërtetë dolëm ekipi fitues por besoj se e merituam. Falenderoj Federatën për këtë organizim dhe besoj se do të zhvillohet përsëri në vitet në vazhdim”- u shpreh Vulaj.