Kampionati i femrave U-15, nis Grupi B/ Riza: Në program edhe kampionati për moshën U-17 - FSHF

Kampionati i femrave U-15, nis Grupi B/ Riza: Në program edhe kampionati për moshën U-17

Janë luajtur ndeshjet e javës së parë të Kampionatit Kombëtar U-15 për femra për Grupin B, të cilat ishin planifikuar të luheshin me datë 13 shkurt, por u shtynë si pasojë e kushteve atmosferike. Pjesë e këtij grupi janë Elbasani, Apolonia, Lushnja dhe Pogradeci. I pranishëm në sfidën e parë hapëse të këtij grupi ishte edhe përgjegjësi i sektorit të futbollit të femrave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Florian Riza, i cili në një prononcim për Fshf.org në fillim të ndeshjes Apolonia-Elbasani u shpreh se ky është një kampionat shumë i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit të femrave dhe theksoi që në sezonet e ardhshme do të organizohet edhe kampionati i femrave U-17.

“Kushtet atmosferike të javës së shkuar na detyruan ta shtynim kampionatin e futbollit për femra U-15. Por fillojmë me grupin B, ku do të luajë Apolonia dhe Elbasani në Fier ndërsa ndeshja e dytë e grupit B do të luhet midis Lushnjes dhe Pogradecit. Ky është një kampionat që zhvillohet për herë të parë. Kampionati është i ndarë në dy grupe për shkak të problematikave që kemi me largësitë dhe me udhëtimet. Mendojmë që ky është një kampionat shumë i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit të femrave, që është prioriteti numër 1 i Federatës Shqiptare të Futbollit. Besojmë që në një kohë shumë të shkurtër, ne të organizojmë jo vetëm kampionatin e 15-vjeçareve por edhe atë të 17-vjeçareve në sezonet në vazhdim, për ta zhvilluar më tej këtë futboll”, – u shpreh Riza.
Në ndeshjet e zhvilluara, Lushnja ka marrë një fitore me goleadë në ndeshjen që zhvilloi në shtëpi kundër vajzave të Pogradecit, duke i mundur 5-0. Kjo ishte fitorja e parë për lushnjaret, të cilat gjenden në krye të tabelës së grupit B. Ndeshja tjetër e zhvilluar në Fier, mes Apolonisë dhe Elbasanit përfundoi me fitoren e fierakeve, të cilat realizuan tre gola në portën e vajzave të Elbasanit, ndërsa këto të fundit u treguan të pafuqishme për të ndryshuar fatin e lojës, me vetëm një gol të shënuar.

Kjo është renditja e ekipeve të grupit B pas javës së parë:
1. Lushnja 3 pikë
2. Apolonia 3 pikë
3. Pogradeci 0 pikë
4. Elbasani 0 pikë

Ndërkohë është luajtur java e dytë e kampionatit kombëtar U-15 për femra për grupin A, ku Vllaznia ka marrë fitoren e dytë radhazi në grup, në një ndeshje mjaft të bukur të zhvilluar në Durrës, kundër vajzave të Teutës. Katër gola të shënuar në portën e vajzave bregdetare, të cilat arritën të shënojnë vetëm një gol nderi në portën e shkodraneve, të cilat ruajnë kryesimin pas javës së dytë me 6 pikë ndërsa Teuta gjendet në vendin e fundit me 0 pikë. Ndeshja tjetër e zhvilluar në grup mes Murlanit dhe Kinostudios i dha tre pikët e para kryeqytetaseve, të cilat realizuan tre gola. 0-3 u mbyll kjo sfidë në Shkodër, me Murlanin dhe Kinostudion që ndajnë pikë të barabarta.
Kjo është renditja e ekipeve të grupit A pas javës së dytë:
1. Vllaznia 6 pikë
2. Kinostudio 3 pikë
3. Murlani 3 pikë
4. Teuta 0 pikë