Kampionati i femrave / Tirana para provës Juban Danja, luhet edhe derbi kryeqytetas - FSHF

Kampionati i femrave / Tirana para provës Juban Danja, luhet edhe derbi kryeqytetas

Kampionati Kombëtar i femrave do të zhvillojë javën e 18-të të saj të ndarë në dy ditë.

Kjo javë do të hapet duke filluar nga ora 11:00 e kësaj të premteje, ku skuadra e Bilisht Sportit do të presë në shtëpi ekipin e Lushnjes. Vendaset që renditen të fundit pas 17 javësh kampionat me 0 pikë, do të tentojnë të korrin suksesin e parë ndaj lushnjareve, që renditen të parafundit, me vetëm një fitore, kundër po këtij ekipi.

Nga ana tjetër, po ditën e sotme, fieraket e Apolonisë do të udhëtojnë drejt Shkodrës, ku do të përballen me AAS e vendit të nëntë, në një përballje delikate, ku shkodranet do të tentojnë tre pikët. Ndeshja do të nisë duke filluar nga ora 14:00

Të shtunën do të luhen katër sfidat e tjera, ku spikat derbi kryeqytetas, Partizani-Kinostudio, që do të luhet në ora 10:00. Të kuqet vijnë në këtë sfidë pas disfatës me Apoloninë, ku u mundën me rezultatin 2-0. Kinostudio kërkon tre pikët në këtë ndeshje, për të thelluar pikët në renditje, ndërsa një fitore e Partizanit do të thotë një parakalim në pikë për të kuqet.

Nga ana tjetër, dyluftim pikësh për renditje do të ketë edhe në përballjen Juban Danja-Tirana, me shkodranet që në rast fitoreje do të barazonin kryeqytetaset me pikë, të cilat renditen në vendin e tretë në kampionat. Ndeshja që do të luhet në Shkodër do të nisë në ora 15:00.

Në Durrës, bregdetaret do të presin në shtëpi Vllazninë e vendit të parë, që deri në këtë moment të kampionatit nuk ka humbur asnjë sfidë, duke kryesuar kështu bindshëm kampionatin. Ndeshja do të luhet në qytetin bregdetar, nga ora 13:00.

Korçaret e Skënderbeut do të udhëtojnë drejt Tiranës, ku do të përballen me Tirana AS që renditet në vendin e pestë në kampionat, në një sfidë që do të nisë në ora 12:30.

 

Java e 18-të e kampionatit të femrave:

Bilisht Sport – Lushnja, ora 11:00

AAS – Apolonia, ora 14:00

Partizani – Kinostudio, ora 10:00

Juban Danja – Tirana, ora 15:00

Teuta – Vllaznia, ora 13:00

Tirana AS – Skënderbeu, ora 12:30