Kampionati i femrave/ Spikat derbi kryeqytetas, Apolonia pret Vllazninë - FSHF

Kampionati i femrave/ Spikat derbi kryeqytetas, Apolonia pret Vllazninë

Kampionati i femrave do të rikthehet këtë të shtunë në fushë me javën e 15-të që do të luhet e ndarë në tre ditë.

Tirana-Partizani, derbi i shumëpritur mes femrave do të hapë këtë të shtunë javën e 15-të, me sfidën që do të luhet në fushën “Skënder Halili” në kryeqytet. Bardheblutë, të cilat renditen në vendin e tretë në kampionat do të tentojnë t’i marrin tre pikët e radhës të kuqeve të Partizanit. 3 fitore numërojnë vajzat e Tiranës kundrejt Partizanit në 3 ndeshje të luajtura mes tyre. Sfida do të luhet duke nisur nga ora 13:00.

Në po të njëjtën orë, Apolonia e vendit të dytë do të presë në Fier kampionet e Vllaznisë. Fieraket do të kërkojnë fitoren, për t’iu afruar vendit të parë që kryesohet bindshëm nga Vllaznia pas 14 javësh kampionat, ndërsa shkodranet do të tentojnë të thellojnë pikët e renditjes.

Të dielën, më 4 prill, bregdetaret e Teutës do të udhëtojnë drejt Korçës, ku do të kenë përballë Skënderbeun, në një sfidë delikate për të dyja palët. Sfida do të luhet duke filluar nga ora 10:00.

Tre ndeshjet e tjera do të luhen ditën e hënë. Lushnja e vendit të parafundit do të presë në shtëpi shkodranet e AAS, në një ndeshje që do të nisë të luhet në ora 12:00.

Në po të njëjtën orë, në kryeqytet do të luhet sfida Kinostudio – Bilisht Sport. Kryeqytetaset do të luajnë veç për tre pikë, kundrejt Bilisht Sportit që renditet e fundit në klasifikim me 0 pikë, pas 14 javësh kampionat.

Në Shkodër, vendaset e Juban Danjës do të presin në shtëpi kryeqytetaset e Tirana AS, të cilat renditen në vendin e katërt në kampionat dhe udhëtojnë për të marrë tre pikët në një transfertë të vështirë.

03/04/2021 Tirana – Partizani ora 13:00

03/04/2021 Apolonia – Vllaznia  ora 13:00

04/04/2021 Skënderbeu – Teuta ora 10:00

05/04/2021 Lushnja – AAS ora 12:00

05/04/2021 Kinostudio – Bilisht Sport ora 12:00

05/04/2021 Juban Danja – Tirana AS ora 13:00