Kampionati i femrave/ Partizani fiton derbin, mbyllet java e 18-të - FSHF

Kampionati i femrave/ Partizani fiton derbin, mbyllet java e 18-të

Kampionati i femrave ka mbyllur javën e saj të 18-të këtë të shtunë, me një javë plot garë dhe që prodhoi shumë emocione për skuadrat e femrave.

Bilisht Sport ka marrë pikën e parë në këtë sezon futbollistik përballë Lushnjes. Sfida që u zhvillua ditën e premte  në stadiumin  e Devollit përfundoi në një barazim pa gola.  Bilisht Sporti vazhdon të renditet e fundit në kampionat, me vetëm një pikë pas 18 javësh ndërsa Lushnja renditet e 11-ta, një vend më sipër Bilishtit, me 4 pikë.

Nga ana tjetër, ditën e premte në ora 14:00 u zhvillua sfida mes AAS-Apolonia, në qytetin e Shkodrës. Fieraket e Apolonisë nuk e patën të vështirë fitoren, duke shënuar 5 herë në portën e shkodraneve, të cilat u treguan të pafuqishme për të ndryshuar rezultatin. Apolonia kaloi në avantazh që në minutën e dytë të takimit me Kastratin ndërsa shtatë minuta më vonë, Mema dyfishoi rezultatin. Fieraket shënuan edhe tre herë të tjera me Memën në minutën e 18-të, Berishën në minutën e 35-të dhe Demirin në minutën e 53-të. Me këtë fitore, Apolonia vijon të renditet e dyta në kampionat, në kuotën e 46 pikëve ndërsa AAS renditet në vendin e nëntë me 15 pikë.

Të shtunën u luajtën edhe katër sfidat e tjera të javës. Derbi kryeqytetas Partizani – Kinostudio përfundoi në favor të të kuqeve, të cilat me këtë fitore parakalojnë me një pikë Kinostudion, duke u ngjitur në vendin e gjashtë me një pikë më shumë në klasifikim se Kinostudio. Ndeshjen e hapi Cyme Lulaj, që kaloi në avantazh Kinostudion në minutën e 18-të, por epërsia e golit për to nuk zgjati shumë pasi Xhabafti gabon dhe barazon shifrat për të kuqet. Pjesa e dytë mbyllet me barazimin 1-1 teksa në pjesën e dytë, Partizani kalon në avantazh me Tabakun, e pësë minuta më vonë, Koka trefishon shifrat. Xhebrahimi shënoi golin e dytë për Kinostudion, por pa mundur të ndryshojë rrjedhën e lojës. Ndeshja u mbyll me rezultatin 3-2 për Partizanin.

Tirana AS ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme në kryeqytet, duke mundur me shifrat 6-1 Skënderbeun. Kryeqytetaset kaluan në avantazh që në minutën e 4-t me Goufran, ndërsa tre minuta më vonë Troka mendoi të dyfishonte shifrat dhe shënoi edhe dy herë të tjera në këtë ndeshje në minutat 56-të dhe 77-të. Korçaret shkurtuan rezultatin me Milon në minutën e 11-të. Në të 30-n minutë Koldashi shënoi golin e tretë për Tirana AS, nga pika e bardhë e penalltisë. Palaj në minutën e 70-të të takimit gaboi duke shënuar në portën e korçareve dhe duke i dhuruar një tjetër gol Tirana AS, që renditet tashmë në vendin e pestë, me kuotë të njëjtë pikësh me Juban Danjën.

Vllaznia vijon me serinë e fitoreve. Në transfertën e Durrësit, shkodranet fituan me rezultatin 1-9, me gola të Alijaj, Gjinit, Borcit, e cila shënoi dopietë dhe pokerin e Megi Doçit. Vllaznia forcon kështu pozitat e vendit të parë ndërsa Teuta renditet e teta në klasifikim me 15 pikë.

Nuk ka fitues as në ndeshjen Juban Danja – Tirana, një sfidë që dhuroi shumë emocione, por nuk prodhoi asnjë gol. Tirana renditet e treta në kampionat, ndërsa Juban Danja renditet me tre pikë më pak në vendin e katërt.

Rezultatet e javës së 17:

Bilisht Sport 0-0 Lushnja

AAS 0-5 Apolonia

Partizani 3-2 Kinostudio

Tirana AS 6-1 Skënderbeu

Teuta 1-9 Vllaznia

Juban Danja 0-0 Tirana

 

Renditja pas javës së 17:

Vllaznia 54

Apolonia 47

Tirana 40

Juban Danja 37

Tirana AS 37

Partizani  28

Kinostudio 27

Teuta 15

AAS 15

Skëndërbeu 9

Lushnja 4

Bilisht Sport 1