Kampionati i femrave/ E shtuna mirëpret javën e dhjetë, spikat “derbi myzeqar” - FSHF

Kampionati i femrave/ E shtuna mirëpret javën e dhjetë, spikat “derbi myzeqar”

Kampionati Kombëtar i futbollit të femrave do të zhvillojë këtë të shtunë të gjitha ndeshjet e javës së dhjetë.  Java do të hapet me ndeshjen Tirana AS-Vllaznia, në orën 12:00, ku kryeqytetaset do të tentojnë të marrin pikë dhe t’i shkaktojnë humbjen e parë kampioneve shkodrane. Vllaznia vjen në kryeqytet si mike, me pikët e plota pas 9 javësh kampionati, ndërsa vajzat e Tirana AS vijnë pas fitores me Kinostudion, me 19 pikë në renditje.

Katër ndeshje të tjera do të luhen në orën 13:00. Shkodranet e AAS do të presin në qytetin verior vajzat e Teutës. AAS vjen pas humbjes së thellë me Vllazninë dhe kërkon të gjejë fitoren kundër Teutës që u mund në shtëpi javën e shkuar nga kryeqytetaset e Partizanit. Lushnja do të presë në shtëpi Apoloninë, në derbin e parë të Myzeqesë për këtë sezon. Për fieraket, ndeshja kundër lushnjareve konsiderohet e lehtë në letër, ku do të shkojë për të marrë pikët dhe për të vazhduar ecurinë pozitive në kampionat. Juban Danja e vendit të pestë do të presë në Shkodër vajzat e Kinostudios, të renditura në një pozicion më poshtë. Dy ekipe të cilat javën e kaluar lanë pikët e plota dhe do të luajnë vetëm për fitoren. Bilisht Sport ende nuk e ka gjetur fitoren e parë në këtë sezon. Kundër Partizanit duket e vështirë, teksa këto të fundit udhëtojnë drejt qytetit juglindor për fitoren e dytë radhazi në kampionat. Skënderbeu do të luajë në kryeqytet kundër Tiranës në orën 14:00. Vajzat e Tiranës shpresojnë të marrin pikët e plota, duke shpresuar në një gabim të Apolonisë kundër Lushnjes, për t’u renditur në vendin e dytë dhe për të ëndërruar për titullin kampion.

Kalendari i javës së dhjetë:

E shtunë/ Tirana AS-Vllaznia ora 12:00
E shtunë/ AAS-KF Teuta ora 13:00
E shtunë/ Lushnja-Apolonia ora 13:00
E shtunë/ Juban Danja-Kinostudio ora 13:00
E shtunë/ Bilisht Sport-Partizani ora 13:00
E shtunë/ Tirana-Skënderbeu ora 14:00