Edhe kampionati i futbollit amator 5×5 ka mbyllur ndeshjet e fazës së parë këtë javë, duke shpallur kështu kampionët simbolikë të dimrit në zonën e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, si edhe në Shkodër, ku kjo fazë ka përfunduar para dy javësh.
Në Tiranë, futbolli 5×5 është i organizuar në gjashtë grupe, ku në secilin prej këtyre grupeve janë përcaktuar edhe vendet e para. Ekipi i ATS kryeson renditjen në grupin e parë, teksa Tirana 5×5 renditet e para në grupin e dytë. Çermenika, Sony AD, Çamëria dhe Kalçeto Ademi e mbyllin gjithashtu si kampionë këtë fazë të parë të kampionatit, që ka bërë bashkë të gjithë të apasionuarit pas futbollit.
Ndërkaq, futboll është luajtur edhe në Durrës, me FJT Auto dhe KKD Eurodrini që gjithashtu kryesojnë në grupet përkatëse, pas rezultateve pozitive që kanë marrë përgjatë javëve kur ky kampionat është zhvilluar. Edhe në Elbasan ka përfunduar faza e parë, me ekipin e Pepës që mban vendin e parë në grup, ndërsa në Shkodër faza e parë është mbyllur prej dy javësh dhe ku kampione simbolike është shpallur ekipi i Air Albania-s.
Sakaq, nga muaji i ardhshëm pritet të nisë kampionati edhe në zonën e Lezhës, Fierit dhe Korçës, ku përveç pasionit për futbollin, skuadrat që do të shpallen kampione do të kenë të garantuara fushën e lojës, uniformat dhe topat e lojës si dhe ndeshjet do të gjykohen nga arbitra profesionistë dhe do të ketë mjekë. Skuadra e renditur e para në kampionat rajonal merr si shpërblim 75.000 lekë të reja, ndërsa vendi i dytë i kampionatit rajonal fiton 25.000 lekë të reja dhe 5 topa.

















