Kampionati i femrave/ Vllaznia fiton në Fier, derbi kryeqytetas mbyllet në paqe - FSHF

Kampionati i femrave/ Vllaznia fiton në Fier, derbi kryeqytetas mbyllet në paqe

Është zhvilluar këtë javë kampionati i femrave, me dy  ndeshjet kryesore të javës të luajtura të shtunën, derbi kryeqytetas Tirana-Partizani dhe Apolonia-Vllaznia. Të dielën u zhvillua sfida mes Skënderbeut dhe Teutës ndërsa këtë të hënë Kinostudio priti në kryeqytet Bilisht Sportin. Të martën do të zhvillohet në Lushnje edhe sfida e fundit e javës mes Lushnjes dhe AAS.

Derbi i katërt kryeqytetas mes Tiranës dhe Partizanit që u luajt në fushën ‘Skënder Halili’ u mbyll pa fitues. Bardheblutë e Tiranës kaluan të parat në avantazh, me një gol të shënuar nga Kesjana Goro në minutën e 35-të të takimit, por në pjesën e dytë të lojës, të kuqet barazuan rezultatin me Begallon, e cila shënoi nga pika e bardhë e penalltisë. Kështu, dy ekipet e kryeqytetit ndanë nga një pikë në këtë ndeshje.

Sfida mes vendit të parë dhe vendit të dytë, Apolonia – Vllaznia përfundoi në favor të shkodraneve mike, të cilat nuk e diskutuan as këtë radhë fitoren, edhe pse me rezultatin minimal 0-1. Megi Doçi, ‘shpëtimtarja’ e shkodraneve kaloi në avantazh Vllazninë në minutën e 78-të, duke i dhënë fitoren dhe duke u larguar nga vendi i dytë, që mbahet nga Apolonia.

Drejt Korçës këtë fundjavë udhëtuan bregdetaret e Teutës, të cilat arritën të triumfonin me rezultatin 1-4 në këtë transfertë jo të lehtë. Habili zhbllokoi rezultatin për Teutën në minutën e 13-të të takimit ndërsa Teuta iu fal edhe tripletës së Malaj-t, e cila shënoi në minutat 38-të, 54-t dhe 57-të. Goli i vetëm për korçaret u shënua nga Repa në minutën e 72-të.

Në kryeqytet, Kinostudio mundi me rezultat të thellë 19-0 Bilisht Sportin e vendit të fundit. Ekipi i juglindoreve ende nuk ka arritur të marrë pikën e parë këtë sezon, ndërsa kryeqytetaset me këtë fitore renditen në vendin e gjashtë në klasifikim, pas 15 javësh kampionat.

Lushnja e vendit të parafundit do të presë ditën e nesërme miket shkodrane të AAS-së, sfidë që do të përmbyllë edhe këtë javë të 15-të të kampionatit.