Kampionati i femrave/ Kryendeshja e javës së fundit, Tirana pret Apoloninë - FSHF

Kampionati i femrave/ Kryendeshja e javës së fundit, Tirana pret Apoloninë

Kampionati i femrave do të luajë javën e fundit të tij. Java e 22-të e një kampionati, që ka pasur surpriza, emocione, garë dhe më shumë ekipe, do të zhvillohet e ndarë në 3 ditë.

Kryendeshja e javës do të luhet këtë të premte në kryeqytet, mes Tiranës dhe Apolonisë, ku tashmë Apolonia ka siguruar vendin e dytë në kampionat ndërsa Tirana, ekipi i ri që u bë pjesë e këtij sezoni futbollistik renditet në vendin e tretë. Ndeshja do të luhet në Tiranë, në fushën “Skënder Halili” duke nisur nga ora 15:00. Ndersa ekipi i Partizanit do të udhëtojë drejt Shkodrës këtë fundjave, ku do të përballet me shkodranet e AAS-së. Tre pikëshi vlen shumë për të kuqet e Partizanit, të cilat me një fitore do të siguronin vendin e gjashtë në renditjen përfundimtare për këtë edicion futbollistik.

Dy ndeshje të tjera do të zhvillohen ditën e shtunë, me ekipin e Lushnjës që do të presë në shtëpi Kinostudion. Kjo e fundit vjen pas një fitoreje të vyer ndaj ekipit të Juban Danjës dhe do të kërkojë patjetër tre pikëshin për një vend të gjashtë në klasifikimin përfundimtar. Ndeshja do të zhvillohet në “Roza Haxhiu”, duke nisur nga ora 13:00.

Ekipi i Skëndërbeut do të përballet këtë të shtunë me Bilisht Sportin, në një ndeshje të lehtë të letër për korçaret, që do të nisë nga ora 13:00.

Të dielën do të zhvillohen dhe dy ndeshjet e fundit të javës dhe të këtij sezoni. Në kryeqytet, ekipi i Tirana AS do të presë në shtëpi ekipin e Teutës. Durrsaket vijnë në këtë ndeshje pas një fitoreje ndaj ekipit të AAS-së ndërsa kryeqytetaset u mundën javën e kaluar nga Vllaznia kryesuese, që këtë javë do të luajë ndeshjen e fundit ndaj Juban Danjës. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen ditën e dielë, në të njëjtën orë, 16:00.

 

Java e 22-të e kampionatit të femrave: 

E premte

Tirana – Apolonia, ora 15:00

AAS – Partizani, ora 16:00

 

E shtunë

Bilisht Sport – Skënderbeu, ora 13:00

Lushnja – Kinostudio, ora 13:00

 

E diel

Tirana AS – KF Teuta, ora 16:00

Juban Danja – Vllaznia, ora 16:00