Laçi dhe Teuta janë dy skuadrat që do të vijojnë rrugëtimin në kompeticionin europian “UEFA Conference League”. Ndërkaq, Partizani dhe Vllaznia nuk arritën të kalonin dot raundin e dytë, pavarësisht paraqitjeve të mira nga skuadrat në fushë.
“Djemtë e Detit”, pas rezultatit të hidhur në “Niko Dovana”, ku ekipi i vogël i Andorrës, Inter Club d’Escaldes i mundi me shifrat 0-2, zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer në transfertë, ku arritën të barazojnë rezultatin brenda 90 minutave me Sebino Plakun, i cili shënoi një dy golësh, ndërsa në fundin e pjesës së parë të kohës shtesë shënoi edhe mesfushori i Kombëtares kuqezi, Sherif Kallaku. Teuta kalon kështu në raundin e tretë, ku përballë do të ketë skuadrën irlandeze të Shamrok Rovers.
Edhe Laçi ka zhvilluar dy paraqitje fantastike kundër rumunëve të Universitatea Krajova. Një rezultat minimal 1-0 në stadiumin “Elbasan Arena” më 22 korrik, me një gol të Zarubicës, i dha shpresë kurbinasve se mund t’ia dilnin edhe në Rumani. Mbrëmjen e kaluar, skuadra e drejtuar nga tekniku Shpëtim Duro ka realizuar një ndeshje mjaft të mirë, teksa barazoi me shifrat 0-0, duke kaluar për herë të parë në raundin e tretë të një kompeticioni europian. Përballë në turin tjetër, kurbinasit do të kenë skuadrën belge të Anderlehtit, ku synojnë të vazhdojnë me paraqitjet e mira të bëra deri tani.
Partizani u mund me rezultatin 0-2 në “Elbasan Arena” nga ekipi i Bazelit, teksa edhe në ndeshjen e parë, të kuqtë e drejtuar nga Ilir Daja ishin mundur me shifrat 3-0 në Zvicër. Edhe Vllaznia nuk e kaloi dot raundin e dytë, teksa në dy ndeshjet e zhvilluara ndaj AEL Limasol, shkodranët nuk ia dolën të merrnin rezultate pozitive. Në të dyja sfidat, Vllaznia e Brdaric u mund me rezultatet minimale 0-1 dhe 1-0.

















