Investimet në infrastrukturë, FSHF: Bashkia e Tiranës injoroi projektin “100 fushat” - FSHF

Investimet në infrastrukturë, FSHF: Bashkia e Tiranës injoroi projektin “100 fushat”

Në konferencën e sotme për shtyp Federata Shqiptare e Futbollit i ka kthyer përgjigje edhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë për mungesën e fushave dhe investimet në infrastrukturën sportive në kryeqytet.

Drejtori i Komunikimit në FSHF, Andi Verçani, duke marrë fjalë në këtë konferencë ka sqaruar pretendimet e Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sipas të cilit FSHF është përgjegjëse për mungesën e investimeve në infrastrukturë sportive në kryeqytet. Ndërkohë që në fakt është krejt e kundërta, teksa Verçani u shpreh se ndjen keqardhje që Bashkia e Tiranës nuk njeh territorin e vet dhe nuk shikon zhvillimet që po ndodhin përmes asistencës së vyer të FSHF-së. Ai ka publikuar edhe shkresat që vërtetojnë kërkesat e vazhdueshme të Federatës për të bashkëpunuar në kuadër të projektit të 100 fushave me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit e që nuk kanë marrë përgjigje në asnjë rast, duke u injoruar.

“Kompleksi i Partizanit është rasti më konkret, ku ne e ftojmë edhe Bashkinë e Tiranës ta ndihmojë këtë klub, ku FSHF po investon një shumë të konsiderueshme të projektit. Tre fushat e reja që janë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, në kompleksin ‘Skënder Halili’ janë investim i FSHF-së si edhe fusha e katërt me bar natyral që shumë shpejt fillon procesin e rinovimit. Janë marrë vendime për ndërtimin e tre fushave të reja dhe një prej përfituesve është një anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ne po shohim se fushat e kompleksit Dajti në mes të Tiranës po tjetërsohen e po ndërtohen pallate. Jemi përballë një situate ku FSHF i është drejtuar me një shkresë zyrtare me datë 10.7.2020 Bashkisë së Tiranës ku i kërkon bashkëpunim për rivitalizimin e futbollit në Shqipëri. E njëjta kërkesë për bashkëpunim i është dërguar 61 bashkive të vendit. I është dërguar edhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e cila ka dhënë një përgjigje refuzuese për këtë projekt. Duke mos marrë një përgjigje nga Bashkia Tiranë në mënyrë të vazhdueshme, unë si përfaqësues i FSHF-së kam pasur një takim më 7 nëntor me Zv.kryetarin e Bashkisë, Arbjan Mazniku, duke i shprehur shqetësimin e FSHF-së për ndërtimin e fushave të reja në qytetin e Tiranës, rikonstruksionin e tre fushave te Qyteti Studenti, që janë të braktisura dhe FSHF është e gatshme të investojë”, tha Verçani, duke e ftuar edhe një herë tjetër Bashkinë e Tiranës që të bashkëpunojë me FSHF për ndërtimin e fushave të reja dhe për rikonstruksionin e fushave të mbetura në harresë nga pushteti lokal.

“Kompleksi Dajti ku po ndërtohen pallate, për çdo fushë në Tiranë që bashkia ka në inventar, Federata është e gatshme të investojë dhe kërkon vetëm një përgjigje pozitive nga Veliaj. Jemi të hapur që të rikonstruktojmë dhe të bëjmë fusha të reja në gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës. Presim që ato miliona euro të marra nga taksat për ndërtimin e stadiumit të investohen për infrastrukturën sportive të Tiranës. FSHF është e gatshme të financojë 50 me 50, në raste ekstreme dhe 100% të vlerës. Thjesht kërkojmë bashkëpunim, gjë që ka munguar dhe nuk ka përgjigje zyrtare. Kjo ndodh vetëm në Tiranë, pasi në Bashki të tjera ka ndodhur e kundërta, kemi gjetur mbështetje. Në Lushnje dhe në Kukës ka nisur puna për ndërtimin dhe rikonstruksionin e disa fushave, në Gjirokastër po firmosim marrëveshje për të ndërtuar fusha të reja dhe për të investuar”, – tha Verçani.

Më poshtë, edhe shkresat që FSHF i ka drejtuar Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit shumë muaj më parë për bashkëpunim në drejtim të infrastrukturës sportiv.