Homazhet në nderim të Ramazan Rragamit. Presidenti Duka: Ishte mik i mirë, humbje e madhe për të gjithë - FSHF

Homazhet në nderim të Ramazan Rragamit. Presidenti Duka: Ishte mik i mirë, humbje e madhe për të gjithë

Janë zhvilluar sot në Shkodër homazhet për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar dhe ai shkodran, Ramazan Rragami, i cili u nda nga jeta të shtunën në moshën 77-vjeçare.

Për të nderuar figurën dhe veprën e personalitetit të njohur shkodran, të pranishëm në homazhet që u zhvilluan në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” ishin edhe përfaqësuesit më të lartë të FSHF-së e më konkretisht Presidenti, Armand Duka, Zv.Presidenti, Lutfi Nuri, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, Bardhyl Jera dhe Vasil Bicaj.

Pasi vendosi kurorën me lule, Presidenti Duka tha duke folur për median se Ramazan Rragami nuk ishte vetëm një futbollist i madh, por edhe një njeri i mirë e me kontribute të mëdha në futbollin dhe shoqërinë shqiptare.

“Nuk është e lehtë për asnjë qytetar shkodran, tifoz futbolli apo edhe qytetar të Shqipërisë që përcjellin sot një nga njerëzit me kontribute në shoqërinë shqiptare dhe jo vetëm në futboll. Ramazan Rragamin nuk ka njeri në botën e futbollit që të mos thotë ‘ishte njeri i mirë. Ishte njeri i shoqërisë dhe i komunitetit sportiv’. Ramazani ka qenë një futbollist shumë i madh. Çdo shkodran po të pyetet nuk besoj se nuk mund të mos e rendiste ndër emrat më të mirë të futbollit shkodran dhe atij Kombëtar. Me kontributet të jashtëzakonshme, si trajner, si trajner i ekipeve Kombëtare, si zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit. Me shumë kontribute në jetën shoqërore në përgjithësi. Është humbje e madhe për ne, për familjen e tij. Dua t’i shpreh ngushëllimet të gjithëve, kryesisht familjes, fëmijëve të Ramazanit. Për mua ka qenë një mik shumë i mirë, e kam njohur shumë nga pranë, kam bashkëpunuar me të dhe është një humbje personale e imja dhe e familjes time”, – tha presidenti i FSHF-së, Armand Duka në prononcimin e tij pas homazheve.