Pas seancës së fundit stërvitore duket se trajneri DeBiasi ka qartësuar idetë për vendosjen e skuadrës nesër në sfidën e rëndësishme megjithëse miqësore. Gjendja fizike e lojtarëve është e mirë dhe pritet që nesër të kemi një sektor mbrojteje të përforcuar duke i dhënë rëndësi këtij sektori. Gjithsesi formacioni nuk bëhet ende publik dhe për këtë duhet të presim orën 20.30 të ditës së nesërme. Kjo vlen gjithashtu edhe për të vlerësuar ndryshimet që DeBiasi do të sjellë në formacion dhe menyrën se si do të shprehet skuadra.
“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe duke qenë miqësore nuk do të doja që të ndalesha tek rezultati. Ajo që duhet të kuptojmë është mënyra se si skuadra mund të shprehet dhe të gjejë ekuilibrin. Kjo nuk është shumë e thjeshtë sidomos nqs kemi parasysh këtu që disa lojtarë kyç për skuadrën tonë kanë munguar ose mund të mungojnë në ndeshjen e ardhshme. Por gjithsesi ne duhet të punojmë të fokusuar dhe të bëjmë bilancin pas çdo ndeshjeje dhe të përmirësohemi pas çdo sfide.” ka thënë ai ndërkohë që sfida është tashmë shumë afër.

















