Futbolli shqiptar humb një legjendë, ndahet nga jeta ish-portieri Bujar Gogunja - FSHF

Futbolli shqiptar humb një legjendë, ndahet nga jeta ish-portieri Bujar Gogunja

Futbolli shqiptar ka humbur sot një tjetër personalitet që ka bërë histori. Bujar Gogunja, ish-portieri legjendar i Elbasanit, është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare pas një beteje me sëmundjen e rëndë. Gogunja, kampion me Labinotin e Elbasanit në vitin 1983-1984, mbahet mend nga të gjithë për rekordin e minutave pa pësuar gol në futbollin shqiptar, plot 1037 minuta. Ai ishte protagonist edhe në titullin e dytë kampion të Elbasanit në sezonin 2005-2006, si trajner portierësh, duke dhënë kontributin e tij të vyer për këtë arritje.

Gogunja, i dekoruar pak kohë më parë edhe me titullin “Mjeshëtr i Madh” nga Presidenti i Republikës, ka merituar respektin e të gjithë për kontributin e dhënë në sportin e futbollit, duke punuar edhe si trajner i portierëve edhe në ekipet Kombëtare të moshave si edhe në përgatitjen e brezit të ri të portierëve në Elbasan.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka me një postim në rrjetet sociale ka shprehur trishtimin e tij për këtë humbje dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të Bujar Gogunjës.

“Sot mora lajmin e trishtë se miku im i mirë Bujar Gogunja, portieri i madh i Elbasanit të viteve ‘80-të, njeriu i mençur e fjalëpak, u nda nga jeta pas një beteje me një sëmundje të rëndë.

Ish-portieri i Labinotit kampion të sezonit 1983-1984 ishte pjesë e atij brezi të artë të futbollit elbasanas që sollën emocione të mëdha në gjithë futbollin shqiptar. Bujari, ishte një ikonë e portës dhe do të kujtohet gjithmonë për rekordin e tij prej 1037 minutash pa pësuar gol. Ai mbeti një frymëzim për brezat e rinj dhe kontribuoi për qytetin e tij edhe si trajner portierësh te Elbasani kampion i sezonit 2005-2006.

Në këtë moment të vështirë për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh ngushëllimet e mija më të ndjera për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë gjithmonë të paharruara. Prehu në paqe Bujar, do na mungosh të gjithëve”, – shkruan Presidenti Duka në statusin e tij.