Futbolli në zi, ndahet nga jeta Ramazan Rragami! Presidenti Duka: Do ta kujtojmë gjithmonë! - FSHF

Futbolli në zi, ndahet nga jeta Ramazan Rragami! Presidenti Duka: Do ta kujtojmë gjithmonë!

Futbolli shqiptar dhe ai shkodran kanë humbur sot një personalitet të madh. Është ndarë nga jeta Raazan Rragami, ish-futbollist i njohur i Kombëtares e i Vllaznisë si edhe ish-zv.trajner i Kombëtares dhe i Shpresave në vitet ‘80.

Ai është bërë pjesë e hollit të famës dhe do të mbetet një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Kombëtares dhe futbollit shqiptar, teksa numëron 20 ndeshje me fanellën e përfaqësueses kuqezi. Rragami gjithashtu do të mbahet mend edhe si trajneri i Shpresës së Shqipërisë, që arriti të kualifikohej në 8 më të mirat e Europës në vitin 1983. Si trajner ai ka drejtuar për disa sezone me radhë edhe skuadrën e Vllaznisë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, ka shprehur trishtimin për këtë lajm të trishtë dhe ka vlerësuar kontributin Rragami ka dhënë për futbollin shqiptar si futbollist e më pas si trajner.

“Të dashur miq! U trishtova pa masë kur mësova pak minuta më parë se Rramazan Rragami është ndarë nga jeta. Rragami do të mbahet mend dhe do të kujtohet gjithmonë si një nga figurat më të mëdha të futbollit shkodran dhe atij kombëtar. Pas një karriere të shkëlqyer si futbollist me Vllazninë ai arriti suksese shumë të madhe si trajner. Historik do të mbetet kontributi i tij në krah të Shyqyri Rrelit në sukseset e Shpresave ne 1978 dhe 1981 ku arritën të shpallin Shqipërinë kampione Ballkani. Si trajner i parë ai arriti suksesin më të madh në historinë e Shpresave, duke arritur ta dërgojë Shqipërinë në çerekfinalet e Kampionatit Europian. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij dhe gjithë komunitetin e futbollit shqiptar, dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Rragami. Ne do ta kujtojmë dhe do ta nderojmë gjithmonë kontributin që ai ka dhënë për futbollin shqiptar”, – shkruan Presidenti Duka në mesazhin e tij të ngushëllimit.