Futbolli i femrave/ Vllaznia, gjysmëfinalistja e parë, Partizani gjen Tiranën në çerekfinale - FSHF

Futbolli i femrave/ Vllaznia, gjysmëfinalistja e parë, Partizani gjen Tiranën në çerekfinale

Janë mbyllur ditën e sotme ndeshjet e prapambetura të vlefshme për Kupën e Shqipërisë dhe ndeshja e parë çerekfinale mes Vllaznisë dhe Juban Danjës.

Partizani ka fituar ndeshjen kundër AAS, në një përballje historike për të kuqet, të cilat u kualifikuan për herë të parë në çerekfinale, ku shorti i ka përcaktuar Tiranën.

Begallo hapi sfidën në minutën e 18-të për Partizanin, duke kaluar në avantazh të kuqet. Në të 22-n, Dedgjonaj shënon golin e dytë për skuadrën, ndërsa tetë minuta më pas, Taullai shënon golin e tretë. Një minutë më pas, Koka shënon golin e katërt dhe pjesa e parë mbyllet me rezultatin 4-0, në favor të Partizanit.

Dhjetë minuta nga pjesa e dytë, Begallo shënon golin e dytë personal dhe të pestin për skuadrën. Ndërsa kanë shënuar edhe Bilali në minutën e 80-të, Nuhu në minutën e 83-të dhe Selja në të 87-n. Ndeshja u mbyll me rezultatin final 8-0 për vajzat e Partizanit.

Ndeshja tjetër e prapambetur mes Teutës dhe Skënderbeut u mbyll në favor të Teutës me rezultatin 10-0.

Një tripletë e Ndrelaj, e cila hapi ndeshjen me golin e saj në minutën e 4-t dhe më pas shënoi edhe në minutën e 16-të dhe 29-n.

Kacorri dhe Malaj me dopietat e tyre, si dhe Pucaj me tripletë i dhanë fitoren e madhe Teutës, që në çerekfinale do të gjejë skuadrën e Tirana AS.

Në ndeshjen e parë çerekfinale mes Vllaznisë dhe Juban Danja, vajzat e Vllaznisë fituan me rezultatin 7-0.

Zylfije Bajramaj hapi serinë e golave dhe kaloi skuadrën në avantazh në minutën e 9-të, teksa shënoi edhe dy gola të tjerë në minutat 45-të dhe 84-t. Megi Doçi shënoi dy herë në portën e shkodraneve të Juban Danjës në minutat e 32-të dhe 73’. Esmeralda Franja shënoi emrin e saj në këtë fitore, me një gol mjaft të bukur në minutën e 22-të, ndërsa Esi Lufo nga ana tjetër shënoi për Vllazninë në minutën e 51.

Vllaznia kështu bëhet ekipi i parë gjysmëfinalist i këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë për femra.