Futbolli i femrave/ Fillon faza e dytë, bindin kryesueset - FSHF

Futbolli i femrave/ Fillon faza e dytë, bindin kryesueset

Këtë fundjavë ka nisur të luhet faza e dytë e kampionatit kombëtar të futbollit të femrave, pas ndërprerjes tre javore, për shkak të zhvillimit të ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë.

Pas një faze të parë emocionuese, me më shumë rivalitet dhe më shumë skuadra në kampionat, e shtuna e 13 marsit riktheu në fushë kampionatin e femrave. Vllaznia, kampionia simbolike e dimrit, që e mbylli fazën e parë me pikë të plota, priti në stadiumin ‘Reshit Rusi’ ekipin e Lushnjes. Një ndeshje e lehtë për shkodranet në letër, që fituan me rezultatin 8-0 në shtëpi. Esmeralda Franja zhbllokon sfidën për Vllazninë në minutën e 26-të, duke kaluar në avantazh shkodranet. Megi Doçi shndërron në gol një penallti të fituar në minutën e 35-të, duke dyfishuar rezultatin, ndërsa në të 40-n minutë, është Arlinda Kodra ajo që trefishon rezultatin. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 3-0, teksa në pjesën e dytë shkodranet shënojnë edhe pesë herë të tjera në portën e lushnjareve. Matilda Gjergji shënon në minutën e 46-të ndërsa 7 minuta më vonë Arlinda Kodra shënon sërish për Vllazninë, duke i dërguar shifrat në 5-0. Dopietë e Megi Doçit në pjesën e dytë dhe një gol i Arbiona Brocaj vulosin rezultatin final për Vllazninë, 8-0, duke rikonfirmuar kështu vendin e parë me fillimin e fazës së dytë. Lushnja vijon të jetë në kuotën e tre pikëve pas 12 javësh futboll.

Skuadra tjetër shkodrane, AAS ka fituar me rezultat minimal në ndeshjen kundër Bilisht Sport. Një ndeshje mjaft e luftuar nga Bilisht Sport, që tentoi të merrte barazim kundër shkodraneve, në një ndeshje të bukur, por nuk ia dolën. Përmes pikës së bardhë të penalltisë, në minutën e 75-të, Ndoci kaloi në avantazh shkodranet, të cilat ia dolën të ruajnë rezultatin , duke triumfuar në Bilisht, 0-1. Bilisht Sport vijon të gjendet në vendin e fundit në klasifikim, teksa AAS gjendet në vendin e tetë me 12 pikë.

Teuta priti në Durrës shkodranet e Juban Danjës, në një ndeshje me shumë aksione dhe raste të kthyera në gol.
Një pjesë e parë emocionuese, me gjashtë gola të shënuar nga të dyja skuadrat. Dy dopieta të shënuara durrsaket dhe shkodranet, me Cerkinin, e cila shënon dy herë për Juban Danjën, në minutat 10-të dhe 30-të dhe Malajn që shënon për durrsaket në minutat 31 dhe 46-të. Dopieta e Vasës, goli i Tanushit dhe Lebës i japin fitoren shkodraneve, të cilat marrin një fitore të vyer në Durrës, duke triumfuar me rezultatin 2-6.

Apolonia fitoi në Fier, me dhjetë gola të shënuar në portën e korçareve të Skënderbeut. Kastrati zhbllokoi sfidën për fieraket në minutën e tretë, ndërsa shënon dy herë Klea Amonikaj në minutat 8-të dhe 23. Berisha, Iliadhi, Tukaj dhe dopieta e Armokut mbyll pjesën e parë me goleadë golash nga Apolonia. Në pjesën e dytë, Armoku shënon golin e tretë personal dhe të nëntin për skuadrën ndërsa në minutën e 64-t, Gashi shënon golin e dhjetë, duke mbyllur ndeshjen me fitoren e Apolonisë, që renditet në vendin e dytë, në ndjekje të Vllaznisë.

Derbi kryeqytetas i së dielës, Partizani-Tirana AS, foli për vajzat e Tirana AS, të cilat fituan me rezultatin 0-4. Koldashi shndërron në gol një penallti të fituar në minutën e 6-të, ndërsa nëntë minuta më vonë është sërish Koldashi që dyfishon rezultatin për Tirana AS. Në pjesën e dytë, është sërish Koldashi që shënon golin e tretë personal dhe të tretin për skuadrën në minutën e 56-të, teksa Troka vulos rezultatin në minutën e 82-të. 0-4 përfundon derbi i kryeqytetit, me Tirana AS që mban kuotën e 25 pikëve dhe renditet në vendin e katërt ndërsa Partizani në vendin e shtatë, me 18 pikë.

Derbi tjetër i kryeqytetit mes Kinostudios dhe Tiranës përfundoi në favor të Tiranës, me rezultatin 2-8. Goro zhbllokoi rezultatin për bardheblutë në minutën e 29-të, duke kaluar në avantazh Tiranën.
Pjesa e dytë nis vrullshëm, me Kinostudion që barazon rezultatin me Xhebrahimin në minutën e 47-të. Kesjana Goro kalon sërish në avantazh Tiranën, në minutën e 53-të, ndërsa tre minuta më vonë, Kodra trefishon rezultatin nga një penallti që e shndërroi në gol. Sërish Goro për tiranaset, e cila shënon edhe dy gola të tjerë në minutat 67 dhe 81, ndërsa shënon me dopietë Qose në të 82-n minutë dhe 84-t.
Xhebrahimi shënon për Kinostudion në minutën e 85-të. Ndeshja mbyllet 2-8, me Tiranën që ruan vendin e tretë, në kuotën e 29 pikëve ndërsa Kinostudio në vendin e gjashtë me 18 pikë.

Pas javës së 12-të, renditja e skuadrave është si më poshtë:

Vllaznia 36 pikë
Apolonia 31 pikë
Tirana 29 pikë
Tirana AS 25 pikë
Juban Danja 24 pikë
Kinostudio 18 pikë
Partizani 18 pikë
AAS 12 pikë
Skënderbeu 9 pikë
KF Teuta 9 pikë
Lushnja 3 pikë
Bilisht Sport 0 pikë