Futbolli 5x5/ Kampionati luhet në tre zona, fitore me goleada dhe përmbysje - FSHF

Futbolli 5×5/ Kampionati luhet në tre zona, fitore me goleada dhe përmbysje

Kampionati i futbollit amator 5×5 ka mbyllur një tjetër javë në tre qytetet ku luhet futboll, Tiranë, Durrës e Rrogozhinë. Në kryeqytet, futbolli luhet në shtatë zona. Ferraj ruan kryesimin në grupin B, pasi këtë javë mundi me rezultatin 5-3 United Boys. Kryesuesit kanë dy ndeshje më pak në grupin e tyre.

Sakaq, në grupin C, Vila L ka marrë 24 pikë në 8 javë, duke i fituar të gjitha ndeshjet që nga nisja e këtij edicioni të ri. Këtë javë, kryesuesit mposhtën Tillate-n me rezultatin 6-5. Në këtë grup, skuadra e IEBV-së nuk ka marrë asnjë pikë në 8 javë kampionat, duke i humbur të gjitha ndeshjet.

Në grupin D, Shqiponja e vendit të parë triumfoi në ndeshjen e kësaj jave kundër Tulipanëve me rezultatin 8-6, ndërsa Joka Dent siguroi fitoren e radhës edhe në këtë javë të shtatë pasi mundi Tirana 5×5 me rezultatin 3-0.

Immi regjistroi fitoren më të thellë të javës në grupin E, duke mposhtur me shifrat 13-2 Inxhinierinë e Ndërtimit. ATS renditet e para në grup pas shtatë javësh me 19 pikë, teksa këtë javë siguroi tre pikë të rëndësishme pasi mundi Elson me shifrat 3-0.

Prestige ruan kreun e renditjes pas shtatë javësh në grupin F, teksa edhe këtë javë nuk gaboi, duke triumfuar me shifrat e thella 12-2 kundër Luemit, ndërsa KF Erniku GS mundi me rezultatin 8-2 Marquez-in. Edhe në grupin G, Beautiful Albania vijon të ruajë vendin e parë në grup, teksa këtë javë mundi Selecta Digital me rezultatin 5-0.

Risia e këtij edicioni në kampionatin 5×5 është pjesëmarrja e 10 skuadrave nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, që formojnë një grup dhe garojnë këtë sezon për titullin kampion. Ekipi i BmbSHPFA renditet në vendin e parë me pikë të plota pas gjashtë javësh, duke marrë gjashtë fitore rresht.

Ndërkaq, në zonën e Durrësit, sfida më interesante e grupit B ishte ajo mes Santal MFC-Art-Inox, me ekipin e Santalit që ia dolën të fitonin e të mundnin kreun e grupit Art-Inox-in. Në takimin tjetër të grupit, Armata e Veriut mposhti me shifrat 4-3 FJT Auto. Kampionet në fuqi arritën të fitonin me përmbysje kundër FJT uto, nga 3-0 në pjesën e parë, në 4-3 në fraksionin e dytë. Në grupin A, kryesuesit e grupit Kismeti, triumfuan me vështirësi me gol në minutën e fundit ndaj kundërshtarëve të fortë si Sallmani.

Në Rrogozhinë është luajtur java e tretë e kampionatit 5×5. MFC Genius është rikthyer te fitorja këtë javë, pasi mundi Bio Dent-in me rezultatin 12-5, ndërsa një fitore të thellë regjistroi edhe ekipi i ‘FC Fitore’ që mundi ekipin e ‘Bashkia Rrogozhinë’ me rezultatin 10-3.