Fundjavë kuqezi, Ardian Ismajli provon shijen e golit të parë në Serie A - FSHF

Fundjavë kuqezi, Ardian Ismajli provon shijen e golit të parë në Serie A

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli ka gjetur ditën e sotme rrugën e rrjetës, duke shënuar golin e vetëm për skuadrën e tij.

24 vjeçari që militon në radhët e Spezias në Serinë A arriti të shënonte golin e tij të parë sezonal dhe të vetmin për ekipin e tij në ndeshjen ndaj Bologna-s.

Bologna udhëhiqte shifrat 2-0, derisa në minutën e 34-t, mbrojtësi kuqezi ngushtoi shifrat në 2-1, pas një goditjeje të saktë të topit me këmbë brenda zonës.

Goli i shqiptarit nuk mjaftoi, pasi Bologna shënoi më pas edhe dy herë të tjera, duke fituar ndeshjen me shifrat 4-1.

Sipas uebsajtit të specializuar për statistika, SofaScore, Ardian Ismajli është vlerësuar si lojtari më i mirë në skuadrën e tij, me notën 7.3 dhe me 92.1% saktësi në pasime.

Ismajli ka luajtur deri më tani 13 ndeshje me Spezian, 10 prej të cilave i ka nisur si titullar.