FSHF organizon kursin e tretë për video-analistë futbolli, ja çfarë duhet të dini për t’u regjistruar - FSHF

FSHF organizon kursin e tretë për video-analistë futbolli, ja çfarë duhet të dini për t’u regjistruar

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë së shpejti kursin e tretë për video-analistë futbolli. Ky kurs do të nisë më 19 prill dhe do të udhëhiqet nga Alarico Rossi, Drejtori i Departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit ne FSHF.

Puna e video-analistit është një profesion i ri në botën e futbollit, por që po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm pasi bëhet fjalë për personin që mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm për punën e skuadrës, të trajnerëve dhe të drejtuesve. Çdo staf teknik serioz ka nevojë për një figurë të tillë për të qenë në avantazh ndaj kundërshtarëve.
Duke folur për Fshf.org, Drejtori i Departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit në FSHF, Alarico Rossi shpjegon se ky kurs do të jetë një mundësi e mirë për të gjithë të interesuarit që të njohin futbollin më mirë dhe do të kuptojnë se si mund të aplikohen teknologjitë e reja në futboll.
“Unë jam Alarico Rossi, Drejtori i Departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit në FSHF. Dua t’ju prezantoj kursin e tretë për analistë futbolli. Kursi i radhës fillon më 19 prill.

Do të jetë një javë shumë intensive me plot impenjime. Një mundësi e mirë për ju që të mësoni një profesion të ri që po promovon futbollin shqiptar në futbollin e madh ndërkombëtar.
Ky kurs do të jetë gjithashtu një mundësi e mirë që të njihni më mirë futbollin nga brendësia. Do të kuptoni sesi mund të aplikohen teknologjitë e reja në futboll. Për të gjithë është një mundësi e mirë për t’u përmirësuar.

Çdo i interesuar mund të dërgoj një e-mail në analysis@fshf.al. Duke qenë së bashku në këtë kurs mund të kuptojmë më mirë këtë sport që kaq shumë e dashurojmë!”, – thotë Rossi në prononcimin e tij për Fshf.org.

Të investosh në edukimin e analistëve do te thotë të investosh në të tashmen dhe në të ardhmen e futbollit shqiptar: falë kësaj figure, jo vetëm trajnerët, por sidomos klubet do të kenë në dispozicion më shumë resurse dhe informacione për të marrë vendime të rëndësishme. Për këtë arsye, në planet e ardhshme të FSHF është edhe përfshirja e rolit të video-analistit në të gjitha stafet e Kategorisë Superiore dhe në të gjitha ekipet kombëtare, si të meshkujve ashtu dhe të femrave.