FSHF, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Seit Hysenit - FSHF

FSHF, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Seit Hysenit

Futbolli shqiptar ka humbur sot një tjetër personalitet. Është ndarë nga jeta Seit Hyseni, ish-futbollist i Tiranës, por edhe i ekipeve Kombëtare në vitet ‘70-‘80. Hyseni ka qenë pjesë e një plejade të shkëlqyer të futbollit shqiptar e veçanërisht të klubit kryeqytetas, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij.

I rritur si futbollist në ekipet zinxhir të Tiranës, ai ka luajtur edhe për një kohë me Shkëndijën e Tiranës, teksa ndiqte studimet në Institutin e Fizkulturës, ndërsa është aktivizuar edhe me disa prej ekipeve Kombëtare të moshave.

Një qendërmbrojtës autoritar, Hyseni ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te bardheblutë, duke qenë një pikë referimi për disa sezone e duke mbetur në memorien e tifozëve. Edhe pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur ai dhe kontributin e tij të vyer për edukimin e brezave të rinj, duke punuar për disa kohë si trajner me ekipeve e moshave të Tiranës.

Federata Shqiptare e Futbollit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij. U prehsh në paqe Seit Hyseni! I paharruar qoftë kujtimi yt!