FSHF merr pjesë në workshop-in e UEFA-s për licensimet, diskutohet për rregulloret e reja për klubet e vajzave - FSHF

FSHF merr pjesë në workshop-in e UEFA-s për licensimet, diskutohet për rregulloret e reja për klubet e vajzave

Përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë marrë pjesë në punimet e workshop-it të përvitshëm të UEFA-s me temë “Club Licensing & Financial Sustainability” të zhvilluar në Romë të Italisë.

Ky takim pune, ku merrnin pjesë zyrtarë të lartë të UEFA-s dhe përfaqësuesit e të gjitha federatave anëtare të UEFA-s, organizohet në kuadër të procesit të licensimit të klubeve për kampionatet vendase dhe garat që organizon qeveria e futbollit europian.

Në këtë workshop FSHF është përfaqësuar nga Eduard Gjini, Menaxher i Licensimit të klubeve në FSHF dhe Mario Kërtusha, jurist në Departamentin Ligjor dhe Licensimit në FSHF.

Fokusi i këtij takimi treditor ka qenë diskutimi i të gjitha ndryshimeve në rregulloret e licensimit të klubeve si dhe problemet e tjera që shqetësojnë sektorin e licensimit të klubeve, si për futbollin e vajzave ashtu edhe për atë të meshkujve.

Veçanërisht u diskutua edhe për përgatitjen e rregulloreve të posaçme të posaçme për klubet e futbollit të vajzave, duke vënë theksin edhe te qëndrueshmëria financiare e klubeve dhe kushtet e nevojshme të licensimit, duke i përshtatur këto rregullore me kriteret e UEFA-s.

Në këtë kuadër FSHF, me asistencën e UEFA-s, duhet të përgatisë rregulloret përkatëse për futbollin e vajzave me synimin që kjo rregullore të vihet në zbatim duke filluar nga sezoni i ardhshëm.

Gjithashtu ndër temat e shqyrtuara ishin edhe procesi i licensimit të klubeve në tërësi dhe përmirësimi i infrastrukturës së klubeve, ku vëmendja më e madhe është te infrastruktura e akademive, si guri themelit për një futboll në rritje të vazhdueshme si edhe qëndrueshmëria financiare.