FSHF Cup përcakton gjysmëfinalistet, njihuni me çiftet dhe datat e ndeshjeve - FSHF

FSHF Cup përcakton gjysmëfinalistet, njihuni me çiftet dhe datat e ndeshjeve

FSHF Cup, kompeticioni më i ri i Federatës së Futbollit për futbollin amator 9×9, ka arritur në fazën kulminante duke përcaktuar skuadrat gjysmëfinaliste pas ndeshjeve çerekfinale që u luajtën javën e shkuar.

Katër ndeshjet çerekfinale dhuruan emocione, gola dhe ndeshje të luftuara që shkuan deri te goditjet e 11 metërshave.
Sind Al triumfoi ndaj Bio Ju me penallti 4-3, pas kohës së rregullt që u mbyll në barazim pa gola.

Elso mundi EB Construction me rezultatin 2-1, me dy skuadrat që kërkuan me ngulm golin dhe kualifikimin, i cili në fund i buzëqeshi Elsos që u tregua më konkret duke finalizuar rastet e krijuara. ATS kishte përballë Lev Tech, me ndeshjen që dhuroi 3 gola, të cilat u shënuan nga ATS.

Endju Dekor është skuadra tjetër gjysmëfinaliste pasi mundi 5-2 rivalët e Confucius, të cilët ishin në avantazh 2-0 pas minutave të para. Endju Dekor reagon dhe rikthehet në lojë pjesën e parë, për të përmbysur rezultatin në fraksionin e dytë të lojës, në një ndeshje me shumë gola e adrenalinë.

Ndeshjet gjysmëfinale do te zhvillohen këtë fundjavë, me çiftin Sind Al-ATS që hapin fazën gjysmëfinale të shtunën në orën 18:00 dhe të dielën shorti ka reservuar përballjen Elso-Endju Dekor po në orën 18:00.

Ndeshjet zhvillohen në kompleksin Football Republic.