Fjala e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka në eventin lançues të projektit “Uniforma Ime” - FSHF

Fjala e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka në eventin lançues të projektit “Uniforma Ime”

Të dashur futbolliste dhe futbollistë,

Të dashur prindër, të nderuar drejtues klubesh e akademish futbolli mirëmbrëma.

Fillimisht më lejoni që në emrin tuaj të falënderoj e t’i uroj mirëseardhjen në këtë mbrëmje të bukur, festive e domethënëse të ftuarve tanë special:

Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi,

Legjendës së futbollit europian Zvonimir Boban,

Ish-Kapitenit të ekipit tonë Kombëtar, Mërgim Mavraj.

 

Mbrëmja e sotme është nga ato netë ku është e vështirë t’i fshehësh emocionet, nga ato mbrëmje që të bëjnë të kthesh kokën pas në kohë dhe të imponojnë të kujtosh nga e nisëm. Fillon gërmon në kujtime nga e nisëm dhe dallon rrugëtimin e gjatë e të bukur që kemi bërë në drejtim të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit shqiptar.

Jemi rritur, përmirësuar, zhvilluar duke pasur në qendër të projektit tonë fëmijët, ekipet kombëtare dhe infrastrukturën. E ardhmja e një Kombi janë fëmijët, padiskutim që edhe në futboll është e njëjta logjikë. Pa ta futbolli do të vdiste, ashtu si edhe Kombi. Prandaj fokusi jonë kryesor dhe buxhetet tona më të mëdha prej vitesh alokohen te futbolli i bazës, për t’i dhënë kushte më të mira dhe më shumë mundësi çdo të riu dhe të reje që dëshiron të luajë futboll.

 

Qëllimet strategjike, që shpalosëm pak muaj më parë në strategjinë “Futbolli për Kombin”, ishin për ndokënd të paarritshme, elektorale, populiste. Por ja ku jemi sot, në finalizimin e një projekti transformues për futbollin e fëmijëve në vendin tonë.

 

Uniforma Ime nga sot, është një realitet i prekshëm për 15 mijë fëmijë që luajnë futboll në vendin tonë, për familjet e tyre. Çdo prind që ka sot një fëmijë që luan futboll dhe ata që dëshirojnë ti rrisin fëmijët me kulturën e të bërit sport, nga ky sezon do të shpenzojë 0 lek për të siguruar TË GJITHË bazën materiale të nevojshme për zhvillimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve gjatë një sezoni futbollistik. Secili prej jush do të ketë uniformën e stërvitjes, uniformën e lojës, tutat e përfaqësimit, çantën dhe fëshen e tij.

 

Nga sot, NE Federata Shqiptare e Futbollit jemi një partner i madh i çdo familjeje shqiptare, që përballej me një kosto të madhe vjetore për të dërguar fëmijën e tij për të bërë futboll.

Ne e konceptuam dhe ideuam këtë projekt si një detyrim që ndjejmë ndaj kujtdo që e kalon rininë e tij duke bërë sport dhe vit pas viti po mundohemi t’ia bëjmë kostot zero. Jemi e vetmja Federatë në Botë që:

  • Prej 7 vitesh japim topa falas për çdo skuadër futbolli në territorin e Shqipërisë,
  • Prej 5 vitesh  kemi  marrë  përsipër çdo kosto për garat: arbitra, zyrtarët e ndeshjeve e gjithçka tjetër.
  • Nga ky sezon hoqëm dhe një kosto madhore: Bazën materiale.

Të gjitha këto projekte me të vetmin qëllim, për ta bërë akoma më popullor e pa kosto për familjarët lojën tonë të bukur, më të bukurën e më të ndjekurën në botë.

Projekti Uniforma Ime, me një kosto vjetore 1.5 milionë euro, financuar 100% nga buxheti FSHF, i prezantuar në të gjithë Shqipërinë, sot  bëhet i prekshëm, duke qenë se ju keni ose po merrni nëpër duar materialet sportive  të kompanisë së mirënjohur “Macron”, me të cilat do të luani e stërviteni gjatë gjithë këtij sezoni futbollistik. Pa dyshim projekti do të përsëritet në të gjithë sezonet e ardhshme. Ky projekt është padiskutim një ndër më të bukurit e më të rëndësishmit që kemi realizuar në gjithë këto vite, kjo sepse i përket totalisht futbollit të bazës, atij që është edhe themeli i zhvillimit të futbollit në një vend.

Nuk do të ndalemi në asnjë moment në objektivin tone për t’i krijuar ambientin perfekt çdo vajze dhe çdo djali për të luajtur futboll. Kjo është në themel të punës sonë të përditshme dhe ne jemi koshient se po ecim në rrugën e duhur.

Ne i dimë detyrimet tona, të cilat shkojnë në shumë raste dhe përtej mundësive tona, por e dimë sesa e rëndësishme është për çdo nënë e baba, që t’i sigurojë fëmijës së vet mundësinë për të luajtur sportin më të dashur për shqiptarët.

Për të realizuar ëndrrat e fëmijëve tanë për kushte më të mira sportive pa dyshim që duhet të kapemi dorë për dore e të bashkojmë idetë, forcat e financat me të gjithë e kryesisht me Qeverinë Shqiptare, UEFA-n e FIFA-n. Ne kemi një eksperiencë fantastike për këtë, kur ndërtuam bashkë me Qeverinë shqiptare: strehën e parë moderne të ekipit tonë kombëtar “Elbasan Arena-n”, nga i cili pedaluam për herë të parë në historinë e Shqipërisë në Euro 2016, stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, e “Zeqir Ymeri” në Kukës. Në fund të këtij muaji do të inaugurojmë edhe “Shtëpinë e Futbollit” me prezencën e donatorëve kryesorë: Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino e Kryeministrin e Shqipërisë, z. Rama. Projektet tona do të ishin të pamundura pa një mbështetje totale nga UEFA, e them totale pasi UEFA na trajnon, asiston, e financon në çdo iniciativë e projekt.

Pra, rruga jonë vazhdon, bashkëpunimi jonë duhet të vazhdojë për të mirën tuaj të dashur fëmijë, më shumë fusha duhet të bëjmë së bashku, më shumë ligje që sigurojnë të ardhmen e sportit. Paratë e hedhura në sport nuk janë shpenzime, por investime, madje investime që kthehen shumë shpejt në buxhet.

Eksperienca që kam, ajo e shumë përmendura, më ka mësuar se vetëm puna dhe besimi te çdo objektiv e bën të arritshëm dhe finishin më të largët.

Ne udhëhiqemi nga një memorie e fortë, nga vlera dhe parime të shenjta që na nxisin çdo mëngjes për të vendosur nga një tullë në këtë godinë të madhe të futbollit që po rritet dhe zhvillohet vit pas viti.

Ju falënderoj dhe njëherë shumë të gjithëve, e uroj një sezon të mbarë e të suksesshëm futbollistik.

 


Duke kontrolluar karten...