Fjala e Presidentit Duka e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme 2021 - FSHF

Fjala e Presidentit Duka e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme 2021

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e 2021 u zhvillua përmes platformave online, ku u diskutua për raportin e aktivitetit te FSHF për vitin 2020, raporti financiar i FSHF për vitin 2020, raportin e audituesit të pavarur për pasqyrat financiare për vitin 2020, buxhetit për vitin 2021, si edhe u zgjodhën anëtarët e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes se Konflikteve.

 

Në fjalën e tij të mbajtur në këtë asamble, Presidenti Duka tha se kohët që po kalojmë janë padyshim unike në vështirësinë dhe pasigurinë që reflektojnë, por çdo ditë që kalon ne po i afrohemi asaj që dikur nuk e vinim re, normalitetit.

 

“Si mbarë bota që shijoi një hapje magjike të kompeticionit aq të shumëpritur, Europianit 2020, ajo që besoj se ka emocionuar këdo ka qenë kumbimi i tifozëve të pranishëm, një kumbim ngazëllimi, shprese dhe jete. Çdo Kampionat Europian sjell me vete atmosferën festive, i bën njerëzit të ëndërrojnë dhe frymëzohen, por ky Europian padyshim do jetë i gdhendur në historinë e njerëzimit si një moment rebelimi ndaj frikës dhe triumfi të shpresës. Duke iu rikthyer reflektimit të një viti që kemi lënë pas, kemi kaluar bashkë me të gjithë vendet e planetit kohë të vështira dhe sprova që kanë kërkuar durim, qetësi dhe kurajo. Kemi qëndruar në këmbë falë solidaritetit tonë njerëzor dhe vlerave të një familjeje të madhe me emrin futboll duke treguar se sa i rëndësishëm është ky sport për njerëzimin dhe në mënyrë të veçantë për ne shqiptarët.

Mbase janë këto kohë që i bëjnë edhe më të fortë njerëzit, por edhe më të dashur dhe të afërt për njëri-tjetrin. Jemi përballur me vështirësitë që solli pandemia dhe deri tani kemi triumfuar, sërish do vijojmë!”, – tha Presidenti Duka, duke theksuar edhe mbështetjen financiare që FSHf dha për anëtarët e saj gjatë pandemisë.

Më tej, Presidenti i FSHF-së renditi disa nga zhvillimet kyçe dhe iniciativat e ndërmarra në këtë periudhë, me fokus futbollin e femrave dhe atë të fëmijëve, që janë e ardhmja e një zhvillimi të qëndrueshëm tonin. Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollti shqiptar renditi edhe të gjitha sukseset e Federatës, që nga zhvillimi i infrastrtukturës sportive e deri te organizimin i finales së parë të Ligës së Konferencës që UEFA ia ka besuar FSHF-së majin e viti të ardhshëm.

 

 

 

Më poshtë fjala e plotë e Presidentit të FSHF-së:

 

Të nderuar anëtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit!

I nderuar President i FFK, z. Agim Ademi!

Të respektuar përfaqësues të medias!

Të dashur miq,

Në harkun e pak më shumë se një viti, po organizojmë për herë të tretë, Asamblenë e Federatës Shqiptare të Futbollit, sërish në kushte të pazakonshme të cilat po kthehen të zakonshme dhe në versionin online të diktuar nga pandemia COVID-19.

Kohët që po kalojmë janë padyshim unike në vështirësinë dhe pasigurinë që reflektojnë, por çdo ditë që kalon ne po i afrohemi asaj që dikur nuk e vinim re, normalitetit. Si mbarë bota që shijoi një hapje magjike të kompeticionit aq të shumëpritur, Europianit 2020, ajo që besoj se ka emocionuar këdo ka qenë kumbimi i tifozëve të pranishëm, një kumbim ngazëllimi, shprese dhe jete. Çdo Kampionat Europian sjell me vete atmosferën festive, i bën njerëzit të ëndërrojnë dhe frymëzohen, por ky Europian padyshim do jetë i gdhendur në historinë e njerëzimit si një moment rebelimi ndaj frikës dhe triumfi të shpresës. Momenti kritik që një nga anëtarët e familjes sonë të futbollit, Christian Eriksen, përjetoi në fushën e blertë e që mbajti pezull frymën e një globi, reagimi i një publiku të përlotur në stadium dhe miliona lutje tregoi edhe njëherë se futbolli është një lojë që shtyhet nga emocione që i kalojnë kufijtë e të imagjinueshmes. Në emër të të gjithë komunitetit tonë të futbollit i përcolla mesazhin inkurajues Eriksen, familjes së tij dhe Federatës Daneze të Futbollit. E jam i lumtur që gjendja e tij është e qetë dhe futbolli rinisi me magjinë e tij.

Duke iu rikthyer reflektimit të një viti që kemi lënë pas, kemi kaluar bashkë me të gjithë vendet e planetit kohë të vështira dhe sprova që kanë kërkuar durim, qetësi dhe kurajo. Kemi qëndruar në këmbë falë solidaritetit tonë njerëzor dhe vlerave të një familjeje të madhe me emrin futboll duke treguar se sa i rëndësishëm është ky sport për njerëzimin dhe në mënyrë të veçantë për ne shqiptarët.

Mbase janë këto kohë që i bëjnë edhe më të fortë njerëzit, por edhe më të dashur dhe të afërt për njëri-tjetrin. Jemi përballur me vështirësitë që solli pandemia dhe deri tani kemi triumfuar, sërish do vijojmë!

Kemi gjetur forcë të ringrihemi kur e gjithë bota u mbyll, dhe kjo jo një metaforë, kur stadiumet ishin të zbrazur e të heshtur, kur njerëzit kishin nevojë dhe ne iu gjendëm me Pagat e Solidaritetit duke siguruar, jo vetëm mbështetje financiare, por akoma më shumë shpresën se askush nuk është i vetëm. Dhe askush në familjen tonë nuk është i vetëm!

Të vendosur për të mos pranuar mbylljen, rifilluam dhe kemi përfunduar me sukses çdo aktivitet, nga ato elitare të Kategorisë Superiore deri te të gjitha grup-moshat, djem e vajza, si pak vende në botë e për këtë duhet të ndjehemi krenar. Sërish, pavarësisht goditjes së papritur që jeta e gjithkujt mori, jemi udhëhequr dhe orientuar nga principet e unitetit dhe vendosmërisë progresiste, duke mbështetur dhe shpallur prioritet futbollin e fëmijëve, duke rritur në nivel impresionues vëmendjen dhe financimin tonë ndaj zhvillimit të futbollit të femrave dhe padyshim përkrahjen dhe pjesëmarrjen tonë aktive në iniciativat sociale.

Në këtë kuadër, dua të ndaj me ju disa nga zhvillimet kyçe dhe iniciativat e ndërmarra në këtë periudhë, me fokus futbollin e femrave dhe atë të fëmijëve, që janë e ardhmja e një zhvillimi të qëndrueshëm tonin.

  • Futbolli i femrave sot ecën mbi një strategji 5-vjeçare të miratuar, në të cilën ne parashikojmë të ridimensionojmë në profesionist kampionatin kombëtar. Për këtë, nëpërmjet një politike ambicioze duke alokuar 15% të buxhetit tonë të përgjithshëm, kemi vendosur të incentivojmë drejtpërdrejtë gjatë gjithë sezonit trajnerët, stafet respektive dhe lojtaret e skuadrave që marrin pjesë në kampionat. Nga sezoni ardhshëm ky do jetë kriter licencimi ku do të sanksionohet se çdo klub i Kategorisë Superiore duhet të ketë dhe një ekip vajzash.
  • Kemi përfunduar këtë sezon, për herë të parë në histori, Kampionatin Kombëtar të femrave U-15 ku morën pjesë 8 skuadra me 160 vajza lojtare. Në të njëjtën kohë janë drejt përfundimit dhe kampionatet rajonale U-11 në Tiranë dhe shumë zona të tjera;
  • Në strategjinë tonë kemi parashikuar ta nisim futbollin e femrave në shkolla, dhe brenda 2 viteve të synojmë të kemi 100 ekipe në 100 shkolla 9-vjeҫare në të gjithë vendin. Vetëm këtë vit të parë, mes pandemisë dhe me orët e edukimit fizik të paplota, kemi arritur të krijojmë 60 ekipe, të cilat janë pajisur me të gjithë bazën materiale të nevojshme për të zhvilluar aktivitetin e tyre dhe trajnerët e të cilave janë incentivuar financiarisht.
  • Sapo kemi lançuar projektin “Playmakers”, një bashkëpunim prestigjioz me UEFA-n dhe kompaninë “Disney”, që synon të familjarizojë dhe afrojë vajza të moshës 5-8 vjeç me futbollin, duke i prezantuar me lojën magjike të futbollit nëpërmjet figurave të fabulave më të dashura për fëmijët.
  • Për futbollin e fëmijëve kemi përgatitur literaturë të unifikuar në lidhje me stërvitshmërinë e tyre, e cila i është ofruar të gjithë trajnerëve dhe monitorohet me kujdes nga ana jonë.
  • Këtë edicion përmbyllin kampionatin e parë kombëtar U-13, si dhe edicionin e dytë të kampionatit U-15.
  • Si në futbollin e femrave ashtu edhe në futbollin e meshkujve, në nivel profesionist dhe atë amator ne sot kemi mbi 2 mijë futbollistë më shumë në krahasim me një vit më parë. Tregues i qartë se projektet tona, puna me anëtarët dhe incentivimet tona kanë dhënë efektin e pritur.
  • Vijojmë me projektin Topi Yt, i cili i mundëson topin e lojës dhe të stërvitjes çdo ekipi të regjistruar në FSHF.

Jo më larg se dy vite më parë, do të tingëllonte paradoksale të lumturoheshe e ndjeheshe krenar që fëmijëve dhe të rinjve tanë i është rikthyer mundësia për të luajtur në fushën e gjelbërt, por sot duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kontributi i kujtdo që e ka bërë të mundur këtë mbetet i vyer.

Të dashur miq,

Misioni dhe detyrimi ynë është t’i japim jetë e zhvillim futbollit. Futbolli është 90 minuta në fushë e një jetë të tërë jashtë saj.

Për këtë arsye, kemi besuar e besojmë se përmes një infrastrukture të konsoliduar e me standarde mund t’a shndërrojmë një pasionant në talent, një ëndërr në sukses dhe një shoqëri më të shëndetshme e të lumtur.

Me këtë aksiomë, falë një menaxhimi financiar të shëndoshë dhe të kujdesshëm, kemi vijuar me investimet dhe projektet tona strategjike, duke u fokusuar kryesisht në terrene sportive, çka janë fatkeqësisht aq të pakta, edhe ato pak, aq të rrezikuara.

Të vetëdijshëm për nivelin alarmant të terreneve tona sportive, prezantuam projektin ambicioz por jetik të 100 fushave, përmes të cilit synojmë t’i japim oksigjen qyteteve e fshatrave tona, të rrisim breza që nuk udhëtojnë me orë për të luajtur një ndeshje futbolli dhe ofruar çdokujt, kudo të shijojë pasionin e lojës. Në bashkëpunim me institucionet më prestigjioze akademike evropiane dhe UEFA-n kemi kryer një studim të dedikuar vetëm tek impakti pozitiv që kanë investimet në futboll duke nisur nga elementët themelor, shëndeti, edukimi dhe padyshim ekonomia.

Pavarësisht se nuk nevojitet një studim shkencor për të kuptuar efektin që ka sporti e veçanërisht futbolli kaq thellë në jetën tonë, kemi ofruar të gjithë vullnetin dhe burimet tona financiare për ta jetësuar projektin e 100 fushave. Fatkeqësisht, dora e shtrirë për bashkëpunim është refuzuar çdo herë nga qeveria dhe pushteti lokal. Unë sërish, në çdo mundësi që do të kem, do i bëj thirrje qeverisë dhe bashkive të kthejnë vëmendjen nga terrenet sportive dhe ta konsiderojnë sportin si e mirë publike.

Por ne nuk ndalemi e nuk tërhiqemi. FSHF do vijojë të mbështesë financiarisht deri në 50% çdo iniciativë të kujtdo që do të ndërtojë terrene sportive dhe gjithashtu të lehtësojë të gjitha procedurat administrative. Çdo projekt që adreson zhvillimin e fëmijëve tanë do të mbështetet! Mund të ndaj me ju se kemi nisur me disa bashkëpunime, por qëllimi ynë është institucionalizimi i këtij projekti me qeverinë partner.

Përtej infrastrukturës kapilare të terreneve sportive, vëmendje vijojmë t’i japim forcimit të infrastrukturës së klubeve, ku do doja të përmendja se jemi në fazën finale të ndërtimit të impiantit modern sipas standardeve të UEFA-s të stadiumit “Zeqir Ymeri” në Kukës. Ky projekt mund të referohet si një histori suksesi në planin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare, me një bashkëfinancim të barabartë me FSHF, ndërkohë që ne nuk jemi ndalur vetëm te stadiumi, por sërish në bashkëpunim me bashkinë Kukës do të rigjenerojmë aneksin stërvitor të këtij stadiumi. Synimi dhe angazhimi ynë është që klubi i Kukësit të ndjehet në shtëpinë e tij që në fillim të sezonit, duke i zhvilluar ndeshjet dhe seancat stërvitore në këto ambiente.

Vëmendja jonë është gjeografike, po ashtu edhe investimet dhe mbështetja jone ndaj anëtarëve tanë.

Po finalizojmë fushën e futbollit të klubit të Bulqizës dhe besojmë se përfitues i këtij kompleksi nuk do jetë vetëm klubi por edhe jeta sociale e këtij qyteti. Edhe qytetet pranë Bulqizës do kenë mundësi ta aksesojnë këtë fushë për të zhvilluar ndeshjet e tyre duke shmangur udhëtime të gjata e të lodhshme.

Kemi përfunduar një nga dy fushat stërvitore të klubit Teuta që do rikonstruktojmë, ku do kenë mundësi të stërviten ekipet e moshave dhe akademia e këtij klubi dhe unë gjej rastin t’i përgëzoj sërish për kurorëzimin kampion të Shqipërisë dhe jam i bindur se këto investime do gjenerojnë më shumë talente dhe prurje për klubin dhe qytetin e Durrësit.

Kemi përgëzuar klubin e Rrogozhinës për investimin serioz që po kryen dhe kemi konfirmuar angazhimin tonë për ta mbështetur në realizimin e disa nga komponentëve të këtij stadiumi dhe sërish më vjen mirë që iniciativa të tilla marrin jetë, sepse shërbejnë si referenca të forta për komunitetin e biznesit dhe atyre që duan ta përmirësojnë futbollin.

Klubin Apolonia e kemi mbështetur duke i mundësuar ndriçimin e fushës stërvitore duke e bërë të shfrytëzueshëm në maksimumin e ditës, bazuar edhe në intensitetin e ekipeve që stërviten, veçanërisht ato të ekipeve të femrave, besojmë se është një investim që ndihmon e ndjeshëm në zhvillimin e këtyre ekipeve.

Në maj të 2022, Shqipëria bëhet për herë të parë pritëse e një finaleje të një kompeticioni elitar të UEFA-s siç është ajo e Ligës së Konferencës, një imazh i shkëlqyer për Shqipërinë, Tiranën, futbollin shqiptar, për këdo nga ne. Caktimi i një finaleje, e para e këtij kompeticioni, për t’u luajtur në Tiranë, është fryt i vizionit të lidershipit të FSHF, një procesi të gjatë bashkëpunimi dhe marrëdhënieve të shkëlqyera mes UEFA-s dhe FSHF-së, profesionalizmit të administratës së saj, por pa asnjë mëdyshje edhe vlerësimit të stadiumit që do kurorëzojë ekipin e parë kampion. Për të siguruar organizimin në nivelin më ekselent të këtij aktiviteti prestigjioz ku do jenë sytë dhe zemrat e gjithë Europës e më gjerë, kemi ndërmarrë ndërhyrje themelore në sistemin e tapetit të fushës, shoqëruar me sistem ndriçimi dhe ventilimi të tapetit të teknologjisë më të fundit. Tirana do të ofrojë një natë magjike dhe ne do garantojmë që çdo detaj i kësaj nate të jetë në nivelin historik të këtij eventi.

Duke qëndruar tek kjo marrëdhënie besimi dua të ndaj me ju se sërish UEFA i ka besuar FSHF-së organizimin e disa ndeshjeve eliminatore të vlefshme për UEFA Champions League 2021-2022. Është lajm i bukur se ne jemi pjesë e organizimit te kompeticionit më elitar europian të klubeve, rikonfirmojmë nivelin e profesionalizmit, dhe sigurinë që jep infrastruktura e ndërtuar nga ne për të mikpritur ndeshje të këtyre niveleve.

“Shtëpia e Futbollit”, nga ku ne sot po zhvillojmë këtë Asamble, një investim me mbështetjen e paçmueshme të FIFA-s përmes programit “Forëard”, sot ka marrë jetë e unë jam i lumtur që administrata që drejtoj, punon në mjedise me standarde të larta perëndimore e barabartë me homologët e tyre, e pjesë e saj edhe kompleksi madhështor që po finalizohet me ndërtimin e dy fushave me bar natyral, infrastruktura moderne e tribunave dhe te gjitha funksionet rehabilituese që do të jenë në shërbim të ekipeve tona kombëtare.

Dëshiroj ta nënvizoj, se këto investime historike dhe të shtrira në të gjithë vendin për të gjithë anëtaret tanë, nuk do ishin të mundura pa një menaxhim skrupuloz dhe mund të them se falë këtij menaxhimi ne sot kemi një të ardhme solide e të sigurt, çka na jep besimin se investimet dhe mbështetja ndaj anëtarëve tanë do jetë e vazhdueshme.

Federata Futbollit prej shumë vitesh ka vëmendje të veçantë ndaj përgjegjësisë sociale dhe përfshirja jonë është shndërruar në një politikë të qëndrueshme dhe të hedhur në strategji të mirëfilltë ndaj kësaj fushe.

Solidariteti është nder vlerat fondamentale të futbollit, dhe ne e kemi shprehur në mënyrën më të natyrshme kurdo që nevoja ka qenë, ndaj kujtdo.

Kemi qëndruar pranë çdo shqiptari të prekur nga tërmeti famëkeq i nëntorit 2019 dhe duke nisur nga çdo anëtar i administratës së FSHF-së, ekipi ynë kombëtar, lojtarë e staf teknik dhe federata simotra kane kontribuar për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e katër banesave të rrënuara nga ky tërmet. Jemi të lumtur që i kemi rikthyer në një strehë të sigurt këto familje, dhe do vijojmë t’i përgjigjemi kauzave sa herë ndihma do jetë e nevojshme.

Sot kemi një projekt për të jetësuar ekipin kombëtar të të amputuarve, duke i mbështetur me bazë materiale, incentivime të drejtpërdrejta dhe mbulim të shpenzimeve të aktiviteteve të tyre, një shembull frymëzimi dhe motivimi për forcën e treguar dhe aspiratë për ta shijuar jetën në plotësinë e saj!

Në bashkëpunim me institucionet akademike europiane jemi duke u përgatitur për zbatimin e dy projekteve që adresojnë dy çështje kritike për shoqërinë tonë në këto kohë, lufta e pashtershme për të mbrojtur rininë tonë nga drogërat dhe fuqinë e sportit dhe futbollit në rehabilitimin e traumave sociale, projekte që do jenë në partneritet me aktorë të ndryshëm.

Ajo që secili nga ne duhet të kuptojë e duhet të besojë është fuqia e pazëvendësueshme që futbolli dhe ne kemi për të diktuar një shoqëri të shëndetshme dhe të qetë dhe se përgjegjësia sociale tashmë është një mision për ne, jo zgjedhje.

 

Të nderuar anëtare,

Të gjithë ju që jeni sot të pranishëm, por edhe i gjithë komuniteti që angazhohet drejtpërdrejtë me zhvillimin e garës sportive jeni të ndërgjegjshëm se në kohët e sotme futbolli ka evoluar në linje me çdo fushë të jetës. Ajo që secilin nga ju e shtyn të jetë brenda kësaj familjeje është pasioni, por ajo që duhet t’i kujtojmë vetes pareshtur është përgjegjësia që ne mbartim përpara shoqërisë, duke krijuar shembuj, duke ofruar mundësi, duke dhuruar emocione, dhe klubet janë në zemër të këtij procesi.

FSHF ka mbështetur dhe inkurajuar në çdo rast reformën për modernizimin e klubeve, për t’i shndërruar ato në struktura financiarisht të qëndrueshme, qeliza të zhvillimit të futbollit, por edhe burim i gjenerimit të disiplinave dhe profesionistësh të të gjitha sferave.

Vetë FSHF sot është në një stad shumë të avancuar ekspertize, një administratë të mirëkualifikuar, në të gjitha profilet kyç që futbolli modern kërkon.

Kemi afruar në drejtimin e departamentit teknik një nga emrat me reputacion të veçantë të futbollit europian siç është Giancarlo Camolese, i cili me eksperiencën e gjatë e te admirueshme do të ndikojë në mirëorganizimin dhe efikasitetin e strukturave tona teknike, veçanërisht forcimin e sistemit të organizimit të ekipeve kombëtare dhe futbollit të bazës.

Nga pikëpamja organizative, FSHF është shndërruar në një strukturë gjigande që prodhon dhe ofron ekspertizë të nivelit evropian. Duke nisur nga kryetrajneri Reja, dhe i gjithë skeleti i ekipit tonë kombëtar, i përbërë nga emra me përvojë impresionuese si Luigi Febrari dhe Gianluca Stesina, janë pjesë integrale e administratës sonë, drejtojnë departamente kyçe dhe inovative duke mundësuar kurse formuese dhe përgatitur të rinj e të reja, që nesër do të jenë në funksion të tregut, në funksion tuaj, të klubeve për të përcjellë ekspertizën e fituar në fusha të ndryshme. Jam shumë besimplotë se jemi në rrugën e duhur veçanërisht kur shoh frytet e para të këtij procesi, me mbi 250 të rinj që janë edukuar dhe certifikuar në disiplina esenciale siç është përgatitja atletike, mjekësia sportive dhe video analiza.

Synimi ynë është që çdo ekip kombëtar, veçanërisht ato të moshave ku formohen e konsolidohen kuqezinjtë tanë, të jetë i përbërë me struktura që dalin nga këto kurse formuese.

Sërish, synimi ynë është që çdo klub, çdo anëtar i yni të jetë përfitues i kësaj ekspertize dhe stafet tuaja të përbëhen nga profesionistë kompetente. Klubet tuaja përfitojnë nga kjo, të rinjtë tanë përfitojnë nga kjo, futbolli përfiton nga kjo!

Në rrafshin e formimit menaxherial, jemi angazhuar të investojmë në nivel serioz financiar për të mundësuar stafe të kualifikuar e që mund të integrohen pranë strukturave tuaja.

E kemi nisur me lançimin e Certifikatës në Administrimin e Futbollit, një kurs i nivelit master i hartuar nga UEFA dhe në bashkëpunim me universitetet prestigjioze europiane, ku synohet që të përftohen themelet e organizimit të një strukture sportive dhe të gjithë aspektet sportive dhe menaxheriale. Këtë vit kemi brezin e parë i cili ka në përbërje përfaqësues nga klubet e Kategorisë Superiore, duke besuar se të diplomuarit e parë do jenë vlerë e shtuar dhe ndikojnë drejtpërdrejt në performancën dhe suksesin e klubeve respektive.

Kjo, padyshim që do ketë impaktin e saj edhe në një proces licencimi të përmirësuar dhe ajo që ne besojmë mbetet se një klub i mirëorganizuar është një klub tërheqës për investitor potencial, e çdo potencial investimi përkthehet në histori suksesi për të gjithë anëtarët e atij klubi, veçanërisht gjaku i një klubi, lojtarët.

Të dashur anëtarë,

Në fjalën time sot kam mbajtur theksin te futbolli, magjia e tij dhe përpjekjet tona për të kaluar këto kohë të vështira. Por nuk mund të lë pa vlerësuar rolin dhe rëndësinë e partnerëve dhe sponsorëve tanë, që pavarësisht krizës së dukshme, i qëndruan besnik e të duruar sfidave dhe vijuan të na mbështesin. I falënderoj me mirënjohje.

Gjithashtu, duhet ta ripërsëris se si UEFA dhe FIFA kanë qenë çdo hap pranë nesh, me një frymë të pashoqe dhe unike solidariteti, përmes programeve mbështetëse, duke na dhënë garanci e qetësi edhe në orët më të errëta.

Por jo vetëm në rrafshin financiar, por edhe atë të mirëqeverisjes, miqtë tanë të UEFA-s dhe FIFA-s kane dhënë kontributin e tyre për përmirësimin e elementeve themelore, që na bëjnë një organizatë e suksesshme dhe e besueshme.

Në këtë frymë ka qenë edhe rishikimi i Statutit të FSHF-së, të cilin ne e miratuam bashkërisht në Asamblenë e kaluar, një hap i madh dhe i sigurt në rritjen e përfaqësimit të anëtarëve tanë dhe dhënies së peshës së munguar të futbollit amator dhe të fëmijëve në përfaqësim.

Jam mirënjohjes dhe krenar për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe solide që kemi sot si me UEFA-n ashtu edhe FIFA-n.

Fatkeqësisht, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për marrëdhëniet me KOKSH. Prej vitesh komuniteti i futbollit është përpjekur të sjelle një frymë sa dashamirëse dhe bashkëpunuese me të gjitha institucionet sportive në Shqipëri. Aq më tepër kur bëhet fjalë për atë që duhet të jetë modeli i institucioneve sportive, Komitetin Olimpik Kombëtar. Për fat të keq, këmbënguljeve tona për të risjellë normalitet në këtë institucion, u janë përgjigjur me prepotencë duke arritur deri në aktin e turpshëm të përjashtimit të FSHF nga procesi i rindërtimit të organizatës. Dhimbja që sjellin këto veprime, sigurisht që është e madhe, por pasojat janë edhe më të rënda, kur mendon se që në start, gjithçka është ndërtuar keq. Dhe ku? Pikërisht në institucionin që duhet ishte shtëpia e të gjitha sporteve. Ndërkohë që ai për fat të keq mbetet një turp për lëvizjen sportive në Shqipëri.

Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim që Komiteti Olimpik Shqiptar, të ndërtohet sipas parimeve dhe frymës olimpike dhe nuk do të rreshtim së punuari, që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt. Të gjithë ata që duan rithemelimin e këtij institucioni sipas normave dhe parimeve, do të gjejnë mbështetjen tonë, deri në zhdukjen e kësaj farse që fatkeqësisht fshihet pas rrathëve olimpike.

Në fund të fjalës time për sot kam dëshirë të përsëris atë që preka edhe më lart: Shtëpia e Futbollit shqiptar, është e hapur për të gjithë ju, dhe është vendi ideal ku ne mund të flasim çdo orë, çdo ditë dhe çdo muaj për përmirësimin e rritjen e futbollit shqiptar. Trajnerët, futbollistët, specialistët e futbollit si edhe drejtuesit e klubeve duhet të jenë të sigurt se projektet tuaja, problemet tuaja, propozimet tuaja do dëgjohen me shumë kujdes, do të adresohen në mënyrën më të mirë dhe do të zgjidhen së bashku. Duhet ta ruajmë lojën dhe shtëpinë tonë

 

Të dashur miq,

Duke qëndruar të bashkuar si në këto të vështira që provuam, duke luftuar së bashku për sfidat dhe synimet tona të përbashkëta, ne mund ta përmirësojmë futbollin shqiptar. Zhvillimi i qëndrueshëm i sportit tonë, duke implementuar praktikat më të mira europiane dhe botërore është lajm-motivi i çdo mëngjesi për ne. Besimi dhe vizioni jonë është ai i duhuri për futbollin shqiptar.

Dua t’ju falënderoj për kohën që më dhatë dhe dëshiroj ti uroj punime të mbara kësaj Asambleje. Punë të mbarë dhe klubeve me përgatitjen e sezonit të ri dhe shijojeni këtë verë europiane.