Femrat / Pas Kupës rikthehet kampionati, fillon faza e dytë - FSHF

Femrat / Pas Kupës rikthehet kampionati, fillon faza e dytë

Të shtunën rikthehet kampionati kombëtar i futbollit të femrave, që pati një ndërprerje 3 javore për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, që përcaktuan dy skuadrat finaliste, Vllaznia dhe Apolonia, që do të diskutojnë ndërmjet tyre trofeun e dytë për nga rëndësia në vend.

Fillon faza e dytë, me katër ndeshje që do të zhvillohen të shtunën dhe dy të tjera ditën e diel. Java fillon me ndeshjen Teuta-Juban Danja, që do të luhet të shtunën në orën 12:30 në Olimpik Park, me bregdetaret e vendit të tetë që do të kenë përballë skuadrën e vendit të pestë, në një ndeshje ku secila prej skuadrave do të kërkojë të ruajë pozicionin e saj në renditjen e përgjithshme. Në orën 13:00 në Shkodër dhe Fier do të luajnë si pritëse dy skuadrat finaliste të Kupës së Shqipërisë, me Vllazninë kryesuese që pret në “Reshit Rusi” Lushnjen debutuese në kampionat. Fieraket e vendit të dytë presin në “Loni Papuҫiu” Skëndërbeun, në një sfidë që shikon favorite vendaset që janë prej javësh në ndjekje të Vllaznisë. E shtuna mbyllet në stadiumin “Devolli”, me përballjen Bilisht Sport-AAS, me vendaset që do të kërkojnë të marrin pikën e parë të sezonit pas një faze të parë të mbyllur në kuotën e zero pikëve.

E diela rezervon dy derbi kryeqyteti shumë interesant. Partizani i vendit të shtatë do të luajë ndaj Tirana AS që ndodhet në vendin e katërt në renditje dhe kanë një diferencë prej vetëm 4 pikësh. Në Qendrën Sportive Kamëz, duke filluar nga ora 12:00, pritet një ndeshje e luftuar dhe me shumë emocione. Kinostudio-Tirana është derbi tjetër që mbyll dhe këtë javë të parë të fazës së dytë, me ndeshjen që do të luhet në orën 14:00 në Kamëz dhe ku secila skuadër do të luftojë për objektivat e vet sezonal, me vajzat bardheblu që kërkojnë vendet e nderit në renditjen e përgjithshme dhe Kinostudion që synon mesin e artë.

Teuta-Juban Danja 13/03/2021  – 12:30

Vllaznia-Lushnja 13/03/2021 – 13:00

Apolonia-Skëndërbeu 13/03/2021 – 13:00

Partizani-Tirana AS 14/03/2021 – 12:00

Kinostudio-Tirana 14/03/2021 – 14:00