Femrat / Nisin çerekefinalet e Kupës, luhen edhe dy sfida të prapambetura - FSHF

Femrat / Nisin çerekefinalet e Kupës, luhen edhe dy sfida të prapambetura

Këtë fundjavë do të luhen ndeshjet e mbetura të Kupës së Shqipërisë për kategorinë e futbollit të femrave. Për shkak të motit të përkeqësuar, Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit u detyrua të shtynte dy përballjet e fundit.

Ditën e shtunë, më 20 shkurt, Partizani do të përballet me vajzat e AAS, në orën 13:30 në Kamëz. Fituesja e këtij çifti do të përballet në çerekfinalet e Kupës me ekipin e Tiranës.

Ndeshja Teuta – Skënderbeu është planifikuar të luhet ditën e diel në orën 13:00 në Durrës. Fituesja e kësaj ndeshjeje do të përballet në ndeshjen çerekfinale me Tirana AS.

Ndërkohë, çifti i parë çerekfinalist, Vllaznia – Juban Danja do të luajnë këtë të shtunë në orën 14:00 në stadiumin “Reshit Rusi” në Shkodër. Juban Danja mundi në 1/16 ekipin e Bilisht Sport, me rezultatin e thellë 10-0, duke siguruar biletën për në çerekfinale, ku shorti i ka vënë përballë kampionet e Shqipërisë, vajzat e Vllaznisë.

Çifti i dytë çerekfinalist, Apolonia – Kinostudio do të ndeshen me njëra – tjetrën me 3 mars. Kinostudio fitoi në Tiranë përballë vajzave të Lushnjes, me rezultatin 3-0.