Femrat/ Mbyllet faza e parë, Vllaznia ‘kampione’ simbolike - FSHF

Femrat/ Mbyllet faza e parë, Vllaznia ‘kampione’ simbolike

Mbyllet faza e parë e kampionatit kombëtar të futbollit të femrave. Vllaznia kryeson renditjen pas 11 javësh kampionat me pikë të plota, duke u shpallur edhe kampione simbolike e kësaj faze të parë. Kështu, në fazën e dytë, shkodranet e Vllaznisë do ta nisin garën si kryesuese, ndjekur nga Apolonia e vendit të dytë me 28 pikë. Fieraket nuk shkuan dot më shumë se barazimi 0-0 në stadiumin ‘Loni Papuçiu’ ndaj Tiranës së vendit të tretë, pavarësisht lojës së fortë nga të dyja ekipet. Me këtë barazim, Tirana e sheh veten tashmë 7 pikë larg vendit të parë dhe 2 larg vendit të dytë.

Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Skënderbeu triumfoi në derbin e Korçës ndaj Bilishtit me rezultatin 7-0. Potoni hapi serinë e golave për Skënderbeun, në minutën e 19-të. Ndërkohë që pas 5 minutash, Xhafi i dhuron një gol vajzave të Skënderbeut, duke dyfishuar rezultatin. Në minutën e 30-të, Nicku merr topin bukur dhe shënon golin e tretë, ndërsa një minutë më pas, Repa katërfishon rezultatin. 4-0 mbyllet pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës vjen një tjetër dhuratë nga Bilishti për Skënderbeun në minutën e 77-të. Pak minuta më vonë, për vendaset mendojnë sërish Nicku në të 80-n minutë dhe Merolli në të 83-n për të thelluar rezultatin, duke e vulosur me shifrat 7-0.

Në sfidat e të dielës, Partizani triumfoi në kryeqytet përballë shkodraneve të AAS. Një ndeshje jo e lehtë për të kuqet, të cilat gjatë pjesës së parë nuk shkuan më shumë se barazimi. 4 minuta pas nisjes së pjesës së dytë të lojës, Begallo shënoi golin e parë të sfidës, duke kaluar në avantazh kryeqytetaset. 30 minuta më vonë, Bilali shënon golin e dytë, duke i dhënë siguri vajzave të Partizanit. 1 minutë më vonë, Begallo shënon golin e dytë personal dhe të tretin për Partizanin. Një minutë para mbylljes së sfidës, Xhymerti shënon dhe vulos rezultatin 4-0. Partizani ruan vendin e 7-të, me 18 pikë ndërsa AAS zbret në vendin e 10-të, me 9 pikë.
Tirana AS ka shpërthyer në gola në Durrës, përballë Teutës, me rezultatin 1-8. Nga pika e bardhë e penalltisë, Goufan shënon për kryeqytetaset në minutën e 21’ dhe 13 minuta më vonë dyfishon rezultatin. Në minutën e 44-t, Palaj shënon golin e tretë për Tirana AS.
Pjesa e dytë e lojës flet sërish për vajzat e Tiranës, të cilave iu dhurohet një gol nga Zaimi në minutën e 50-të. Troka gjen golin e pestë në minutën e 62-të, ndërsa shënon edhe dy gola të tjerë në minutat e 71 dhe 75. Tripleta e saj shënon rezultatin 0-7 për kryeqytetaset, teksa në minutën e 85 mendon Monkam për golin e tetë. Golin e nderit për durrsaket e shënon Puca në minutën e 89-të, të cilat renditen në vendin e tetë, ndërsa Tirana AS në vendin e katërt.

Kinostudio gjeti fitoren me ekipin e Lushnjes, duke i shënuar 8 gola. Një ndeshje e lehtë për kryeqytetaset, të cilat gjetën fitoren pas dy javësh me rezultate jo pozitive. Cyme Lulaj kaloi në avantazh ekipin e Kinostudios në minutën e 16-të, ndërsa në të 25-n, Xhebrahimi dyfishon rezultatin. Loci shënon golin e tretë në minutën e 31-të. Xhabafti shënon dopietë, në të 34-n dhe të 38-n. Çemeri gabon për lushnjaret, duke shënuar autogol dhe vulos rezultatin e pjesës së parë 6-0. Në pjesën e dytë, Cyme Lulaj gjen golin e dytë personal dhe të shtatin për skuadrën ndërsa Sherife Qorri i dhuroi një tjetër gol kryeqytetasve, të cilat arritën të fitonin në kryeqytet dhe renditen në vendin e gjashtë.

Vllaznia fitoi derbin e Shkodrës, kundër ekipit të Juban Danjës, me rezultatin e pastër 3-0, duke u shpallur kampione simbolike të fazës së parë. Një ndeshje e vështirë për vajzat e Vllaznisë, të cilat golin e parë e gjetën në fraksionin e dytë, ku Megi Doçi shënoi nga pika e bardhë e penalltisë vetëm në minutën e 62-të. 3 minuta më pas, Franja mendon të dyfishojë rezultatin për shkodranet. Vajzat e Juban Danjës tentuan disa herë, por nuk arritën të gjejnë rrjetën, teksa në të 79-n, Matija vulos rezultatin 3-0 dhe i mban kampionet në fuqi në vendin e parë, të cilat tashmë e shohin veten në kuotën e 33 pikëve, 5 pikë larg Apolonisë së vendit të dytë.

Pas javës së njëmbëdhjetë, renditja e skuadrave është si më poshtë:

Vllaznia 33 pikë
Apolonia 28 pikë
Tirana 26 pikë
Tirana AS 22 pikë
Juban Danja 21 pikë
Kinostudio 18 pikë
Partizani 18 pikë
KF Teuta 9 pikë
Skenderbeu 9 pikë
AAS 9 pikë
Lushnja 3 pikë
Bilisht Sport 0 pikë