Femrat/ Kampionati drejt fundit, java e 21-të sjell derbin myzeqar - FSHF

Femrat/ Kampionati drejt fundit, java e 21-të sjell derbin myzeqar

Kampionati elitë i futbollit të femrave po afrohet drejt fundit, teksa këtë të shtunë do të luhet java e parafundit e këtij sezoni. E shtuna do të mirëpresë të gjitha ndeshjet e javës, me super sfida që premtojnë me siguri, emocione dhe gola, ashtu sikurse çdo javë.

Java do të hapet me sfidën Partizani – Bilisht Sport, me kryeqytetaset që janë më të favorizuara dhe që në letër kanë një ndeshje të lehtë, ku do të synojnë vetëm tre pikët, për të ruajtur pozicionin aktual. Sfida do të nisë në ora 13:00.

Katër ndeshje të tjera të javës do të luhen në ora 15:00, ndërsa Teuta starton në orën 14:00. Drejt Shkodrës do të udhëtojnë kryeqytetaset e Tirana AS, të cilat do të kërkojnë të forcojnë pozitat e tyre, për të ruajtur vendin e katërt ku renditen. Përballë do të kenë kampionet e Vllaznisë, të cilat gjatë këtij sezoni i kanë fituar të gjitha ndeshjet. Kjo sfidë me siguri premton shumë emocione dhe garë.

Në Fier, luhet derbi i Myzeqesë. Apolonia do të presë në shtëpi Lushnjen e vendit të parafundit, që edhe pse me 4 pikë të mbledhura në këtë sezon, ka treguar grintë dhe lojë, duke pasur parasysh që është një ekip i sapokrijuar.

Në ndjekje të vendit të dytë ku renditet Apolonia është ekipi i Tiranës, gjithashtu një ekip i sapokrijuar dhe që po kërkon të shkruajë historinë, për t’i marrë vendin e dytë fierakeve. Bardheblutë do të udhëtojnë këtë fundjavë drejt Korçës, në një ndeshje jo fort të vështirë për tiranaset, mirëpo loja në fushë do të vendosë gjithçka.

Në Tiranë luhet një tjetër sfidë, ajo mes Kinostudios dhe Juban Danjës. Të dyja ekipet nuk ia dolën të fitojnë javën e kaluar, teksa Kinostudio humbi në derbi përballë Tirana AS, ndërsa shkodranet u mundën në shtëpi nga Apolonia. Tre pikëshi do të thotë shumë në këtë ndeshje për secilën.

Shkodranet e AAS do të udhëtojnë drejt qytetit bregdetar të Durrësit, ku do të kenë përballë ekipin e KF Teuta. Tre pikë më shumë kanë durrsaket në renditjen finale sesa vajzat e AAS, të cilat renditen në vendin e nëntë ndërsa Teuta në vendin e tetë.

 

E shtunë

Partizani – Bilisht Sport, ora 13:00

Vllaznia – Tirana AS, ora 15:00

Apolonia – Lushnja, ora 15:00

KF Teuta – AAS, ora 15:00

Kinostudio – Juban Danja, ora 15:00

Skëndërbeu – Tirana, ora 15:00