Europiani U-19 për vajza / Shqipëria mposht Lihtenshtejnin në "Air Albania" - FSHF

Europiani U-19 për vajza / Shqipëria mposht Lihtenshtejnin në “Air Albania”

Kombëtarja shqiptare U-19 për vajza e mbylli me fitoren 0-2 ndeshjen e dytë dhe të fundit kundër përfaqësueses së Luksemburgut, e vlefshme për ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë. Vajzat e drejtuara nga Kreshnik Krepi bënë një paraqitje shumë të mire, duke treguar karakter dhe grintë gjatë gjithë 90 minutave.

Trajneri Krepi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Klesjana Spaho (GK), Angela Nika, Rexhina Troka, Aglia Iliadhi (C), Marinela Mema, Bora Fuçia, Era Methoxha, Jehona Coka, Klaudia Borci, Anversa Muça, Arlinda Kodra.

Të besuarat e Kreshnik Krepit patën disa raste shumë të mira gjatë pjesës së parë, ndërsa qarkulluan dhe kontrolluan mjaft mirë topin. Jehona Coka bëri tentativën e parë në minutën e 11-të të takimit, duke provuar nga rreth 20 metra distancë, por topi përfundoi në duart e portieres kundërshtare. Coka bëhet sërish protagoniste dhjetë minuta më vonë, duke tentuar edhe njëherë nga distanca e largët, por topi përfundon këtë herë mbi traun e portës së Lihtenshtejnit.

Kuqezezat luajnë mirë, duke luajtur në gjysmëfushën kundërshtare. Në minutën e 29-të, skuadra e drejtuar nga Kreshnik Krepi fiton një goditje dënimi. 4 vajza gjenden pranë topit, por pas një skeme, kapitenia Iliadhi ekzekuton goditjen, duke iu afruar golit të avantazhit. Mbrojtësja kuqezi godet topin në shtyllën e djathtë, por portierja e Lihtenshtejnit shmang golin e sigurtë pas një hedhjeje spektakolare. Tre minuta para fundit të kohës së rregullt, trajneri Krepi bën një zëvendësim, duke hedhur në fushë Xhesika Ndojin për Anversa Muçën.

Pjesa e dytë nis me një rast për kuqezezat. Është Bora Fuçia ajo e cila tenton nga distanca, por topi i fortë përfundon mbi traun e portës. Trajneri Krepi bën një tjetër zëvendësim në minutën e 63-të dhe është momenti i Klesta Agos të futet në fushë, në vend të Era Methoxhës. Vajzat kuqezi i afrohen në disa raste portës kundërshtare, teksa goli i avantazhit vjen në minutën e 70-të të takimit nga kapitenia Aglia Iliadhi. Arlinda Kodra ekzekuton një goditje dënimi, duke dërguar topin në zonën kundërshtare, aty ku përfiton nga rrëmuja kapitenia kuqezi, e cila realizon golin e avantazhit. Iliadhi e çon topin në të djathtën e rrjetës së Lihtenshtejnit. Skuadra ul presionin dhe qetëson lojën, duke ruajtur epërsinë 1-0. Pesë minuta më vonë, Ndoji kishte një mundësi shumë të mirë për të dyfishuar shifrat, pas një krosi nga Jehona Coka, por nuk e ul mirë topin me kokë.

Në minutën e 88-të ka ardhur edhe goli i dytë i Shqipërisë pas këmbënguljeve të vazhdueshme të ekipit shqiptar me Jehona Çokën që ka marrë një top në hyrje të zonës dhe pasi ka avancuar ka goditur saktë duke mposhtur portieren mike dhe duke fiksuar shifrat në rezultatin 0-2. Me këtë rezultat mbyllet edhe ndeshja me Shqipërinë që triumfon kështu ndaj Lihtenshtejnit.

Kjo ishte ndeshja e dytë dhe e fundit e Shqipërisë U-19 për vajza në këtë raund të dytë të Kampionatit Europian për këtë grupmoshë. Të gjitha ndeshjet e këtij grupi u zhvilluan në vendin tonë në datat 5, 8 dhe 11 prill, teksa ky ishte mini-turneu i katërt i organizuar me sukses nga FSHF.