EURO 2023, zbardhet kalendari i Shqipërisë. Ja datat e përballjeve të U-21 - FSHF

EURO 2023, zbardhet kalendari i Shqipërisë. Ja datat e përballjeve të U-21

Shorti i Kampionatit Europian 2023 për moshën U-21 i hedhur në fund të muajit janar e vendosi Shqipërinë në Grupin G së bashku me Anglinë, Republikën Çeke, Slloveninë, Andorrën dhe Kosovën. Pas përcaktimit të grupeve u përgatit edhe kalendari i ndeshjeve për fazën eliminatore.

Sa i përket Shqipërisë, skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi do ta nisë fushatën e saj më datë 4 qershor 2021 në transfertë ndaj Andorrës. Pas verës kuqezinjtë rikthehen në fushë më datën 6 shtator 2021 sërish në transfertë ndaj Republikës Çeke. Një muaj më pas Kombëtarja U-21 do të luajë dy ndeshje në shtëpi, më konkretisht më 7 tetor ndaj Andorrës dhe më 11 tetor ndaj Sllovenisë.

Në nëntor kuqezinjtë kthehen të luajnë jashtë fushë teksa më 12 nëntor 2021 përballen me Slloveninë dhe më 16 nëntor 2021 luajnë në Kosovë në ndeshjen e fundit të këtij viti. Më 25 mars 2022, Shqipëria do të presë Republikën Çeke në shtëpi dhe vetëm 4 ditë më pas (29 mars 2022) do të sfidojë ekipin më të fortë të grupit, Anglinë, po në fushën tonë.

Në qershor do të luhen edhe dy sfidat e fundit të Grupit G për ekipin tonë kombëtar U-21. Më 7 qershor 2022 Shqipëri është e impenjuar në transfertën e Anglisë dhe më 14 qershor 2022 luan ndeshjen përmbyllëse në shtëpi ndaj Kosovës.

Eliminatoret e EURO 2023, mosha U-21

Kalendari i ndeshjeve të Shqipërisë në Grupin G

04/06/2021 – Andorra – Shqipëri
06/09/2021 – Republika Çeke – Shqipëri
07/10/2021 – Shqipëri – Andorra
11/10/2021 – Shqipëri – Slloveni
12/11/2021 – Slloveni – Shqipëri
16/11/2021 – Kosovë – Shqipëri
25/03/2022 – Shqipëri – Republika Çeke
29/03/2022 – Shqipëri – Angli
07/06/2022 – Angli – Shqipëri
14/06/2022 – Shqipëri – Kosovë