Euro 2022 – Futsall / Kapiteni Halimi: Shumë mungesa, por duam maksimumin e pikëve - FSHF

Euro 2022 – Futsall / Kapiteni Halimi: Shumë mungesa, por duam maksimumin e pikëve

Kapiteni i kombëtares shqiptare të Futsallit, Roald Halimi, ka folur në prag të ndeshjes me Kroacinë, që luhet më 7 prill në Tiranë dhe është e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2022.
Fillimisht, Halimi shpreh shqetësimin për vështirësitë që ka krijuar pandemia Covid-19 në këto eliminatore dhe sfidat e shumta me të cilat është përballur skuadra gjatë muajve të parë të vitit.
“Për ne dhe sidomos për mua ka qenë shumë e vështirë, sepse për shkak të pandemisë Covid-19 datat kanë qenë shumë afër njëra-tjetrës dhe po ta mendojmë janar, shkurt, mars prill, i thonë 10 ditë grumbullim një herë në muaj. Këtu lojtarët nuk janë të gjithë profesionistë, janë në shkollë ose janë në punë dhe është e detyrueshme karantina. Herën e parë kanë qenë 14 ditë, tani thuhet 5 ditë”, – thotë Halimi për Fshf.org, teksa flet më tej për forcën e kundërshtarëve me të cilët do të përballen kuqezinjtë.

Futbollisti shqiptar shprehet se arritja e Kombëtares deri në këtë fazë mund të quhet një sukses, ndërkohë që në të gjitha sfidat e luajtura deri tani kuqezinjtë kanë pasur shumë mungesa, por gjithsesi të gjithë janë të vendosur për të marrë maksimumin. Gjithashtu, Halimi thekson se kombëtarja ka nisur një cikël të rëndësishëm dhe ka bërë hapa përpara në përfaqësimin e saj në turnetë ndërkombëtarë.  “Tani jemi me ekipet elitare të Europës. Ishte ëndrra ime të kualifikoheshim një herë në fazën e fundit të Europianit, por prapë ardhja deri këtu për ne është një arritje shumë e madhe. Është e vështirë të luash kundër ekipeve të nivelit të Kroacisë dhe të Ukrainës, flasim për ekipe që janë në vendet e para të renditjes së Europës. Për faktin që luajmë në shtëpi, kisha shumë dëshirë të dilnim me një pikë nga kjo ndeshje.

Por gjithashtu, ajo për të cilën më vjen më shumë keq është fakti që për shkak të mungesave që kemi patur nuk kemi arritur të luajmë 100% këtë eliminatore, me gjithë sakrificat që kemi bërë, gjithë sforcot që kemi bërë për të arritur deri këtu. Nuk i kishim të gjithë lojtarët. Njëherë mungonte njëri, njëherë një tjetër, kjo është situata. Të mundohemi të marrim maksimumin nga ajo që kemi. Kjo skuadër ka filluar një cikël me këtë staf, ka bërë hapa përpara dhe kemi arritur në atë nivel ku çdo hap që bëjmë përpara është gjithnjë e më i vështirë”, – ka deklaruar kapiteni i Kombëtares së Futsallit, Roald Halimi.