Durrës, nis kampionati i shkollave 9-vjeçare për femra - FSHF

Durrës, nis kampionati i shkollave 9-vjeçare për femra

Futbolli i femrave është një nga prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit, që po incentivon dhe mbështet financiarisht dhe materialisht të gjitha ekipet e femrave, ashtu sikurse edhe kampionatet e futbollit të femrave në shkollat 9-vjeçare.

Së fundmi, ky kampionat ka nisur në Durrës, i organizuar nga Zyra Rajonale e FSHF-së në Durrës, ku marrin pjesë 9 shkolla dhe në total do të aktivizohen rreth 120 vajza, të apasionuara pas futbollit, e të cilat gjejnë mundësinë të luajnë e të merren me sport. Kampionati do të zhvillohet me dy faza, me sistem grumbullimi dhe të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në ambientet e stadiumit “Niko Dovana” në Durrës.

9 shkollat pjesëmarrëse në këtë aktivitet janë pajisur me bazë materiale nga Federata Shqiptare e Futbollit, si uniforma dhe topa futbolli, duke ndihmuar dhe asistuar kështu të gjitha vajzat e vogla futbolliste dhe stafet. Në ceremoninë hapëse të hapjes së kampionatit të shkollave në Durrës ishte i pranishëm edhe trajneri i ekipit të Teutës për femra, z. Albano Doraci, i cili përshëndeti të gjitha ekipet dhe i uroi suksese në këtë edicion, si dhe të kënaqen sa më shumë duke luajtur futboll.

Pas ceremonisë, u zhvilluan edhe 4 ndeshjet e javës së parë, të cilat kanë regjistruar rezultatet si më poshtë:

Shkolla “Myslim Hida” 0 – 1 Shkolla “Sukth Katund”

Shkolla “Jani Kukuzeli” 0 – 1 Shkolla “Kushtrimi Lirisë”

Shkolla “Marie Kaculini” 2 – 1 Shkolla “Eftali Koci”

Shkolla “Nënë Tereza” 3 – 0 Shkolla “Neim Babameto”

Shkolla “Ismet Nanushi” – pushim