“Disney” vjen me “Playmakers” në Shqipëri, flet trajnerja: Afrojmë vajzat e vogla me botën e bukur të futbollit - FSHF

“Disney” vjen me “Playmakers” në Shqipëri, flet trajnerja: Afrojmë vajzat e vogla me botën e bukur të futbollit

Ndër prioritetet e Federatës Shqiptare të Futbollit për vitet në vazhdim është futbolli i fëmijëve dhe i femrave.

Për këtë arsye, Federata e Futbollit ka vendosur që të sjellë në Shqipëri kompaninë e famshme “Disney”, përmes programit “Playmakers”, në bashkëpunim me UEFA-n.

Programi “Playmakers” do të vijë së shpejti në Shqipëri, teksa Federata e Futbollit është në hapat e fundit të konkretizimit të këtij projekti. Është shumë e rëndësishme për fëmijët e vegjël e kryesisht vajzat, si prioritet kryesor i FSHF-së, që të njihen që në moshë të vogël me futbollin.

Trajnerja Emirjeta Ndoci, e cila do të jetë e përshirë në këtë program mjaft tërheqës e argëtues për fëmijët, në një prononcim dhënë për Fshf.org shpjegon se synimi i programit “Playmakers” është të familjarizojë më tepër vajzat e vogla me futbollin përmes argëtimit dhe imagjinatës, duke treguar histori përmes personazheve të Disney-t. Ndoci thekson se fokusi janë vajzat 5-8 vjeç, të cilat kanë pak ose aspak përvojë në futboll.

“Programi ‘UEFA Playmakers’ synon t’i familjarizojë vajzat me futbollin duke krijuar hapësira posaçërisht për to me në fokus, argëtimin, miqësinë dhe futbollin. Gjithashtu, ky program synon të zbatojë një qasje të re, të personalizuar të trajnimit, që përdor imagjinatën nëpërmjet tregimit të historive dhe personazheve të Disney-t, si dhe të përmirësojë aftësimin fiziko-teknik të vajzave dhe të nxisë një marrëdhënie të përhershme me futbollin.
Ne si instruktorë do të punojmë me vajzat e moshës 5-8 vjeç, të cilat kanë pak ose aspak përvojë në futboll. Qëllimi ynë është që ato të kuptojnë normat shoqëroro-kulturore përkatëse. Gjithashtu, ne do të krijojmë marrëdhënie të mira me pjesëmarrëset dhe veçanërisht me prindërit e tyre në mënyrë që të mund të organizojmë seanca sa më të efektshme dhe që plotësojnë nevojat e vajzave si dhe do të paraqesim një program, i cili do të sfidojë perceptimet dhe do të angazhojë më shumë vajzat e reja në futboll”, – shprehet Ndoci.

Ky projekt do të shtrihet në të gjithë vendin, jo vetëm në Tiranë dhe pjesë e tij do të jenë të gjithë ata që aspirojnë të trajnojnë fëmijët e vegjël, një pjesë e të cilëve janë edhe trajnerë futbolli. Ndoci thekson se janë kryer disa trajnime teorike, ndërsa shprehet se është kënaqësi të merresh me vajzat e vogla.

“Sot jemi me këta të rinj, që aspirojnë të bëhen trajnerë të projektit ‘Playmakers’, të cilët vijnë nga Tirana por edhe nga rrethet e tjera sepse projekti ‘Playmakers’ synon që të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Ne kemi bërë disa trajnime teorike me to dhe sot jemi në fushë, për të bërë praktikë me vajzat e vogla.

Është shumë mirë, pasi të gjithë kanë lidhje me futbollin, disa janë edhe trajnere aktualisht, kështu që ka qenë e lehtë, por do të jetë sfidë për të gjithë ne, miksimi i teorisë me praktikën, gjë që do e marrim gradualisht si përvojë dhe do e përvetësojmë.

Është shumë bukur, është kënaqësi shumë e madhe që t’i shohësh që po mësojnë bazat e futbollit dhe gradualisht, mbase i shohim që të bëhen futbolliste shumë të mira në të ardhmen”, – përfundon Emirjeta Ndoci.