Delegacioni i FSHF në Montreux, merr pjesë në mbledhjen e KE të UEFA-s dhe Kongresin e 45-të të UEFA - FSHF

Delegacioni i FSHF në Montreux, merr pjesë në mbledhjen e KE të UEFA-s dhe Kongresin e 45-të të UEFA

Në Montreux, qytetin e bukur që shtrihet në këmbët e alpeve zvicerane, ka mbërritur që të dielën një delegacioni shqiptar i përbërë nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku dhe Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë, Erand Ibrahimi.

Presidenti Duka merr pjesë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që do të diskutojë një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me kompeticionet e kombëtarëve dhe klubeve europiane. Në axhendën e mbledhjes janë rregullat e reja dhe shpërndarja financiare e Champions League për femra, shpërndarja financiare e kompeticioneve të UEFA-s për meshkuj në periudhën 2021-24, përcaktimi i vendeve pritëse të fazës finale të kampionateve për të rinjtë për periudhën 2023, 2024, 2025 si edhe për Europianin 2022 të Futsallit për moshën U-19.

Gjithashtu, do të shqyrtohen rregulloret e reja për UEFA Champions League 2021-24, UEFA Europa League 2021-24, UEFA Youth League 2021-24, UEFA Super Cup 2021-24, UEFA Futsal Champions League 2021/22 dhe kampionatin UEFA EURO U-19 Futsal 2021/22.

Gjatë kësaj vizite delegacioni shqiptar do të marrë pjesë edhe në Kongresin e 45-të të UEFA-s, që është parlamenti i futbollit europian. Ky takim do të bëjë bashkë presidentët dhe sekretarët e përgjithshëm të 55 anëtarëve të UEFA-s për të diskutuar dhe marrë vendime të rëndësishme për të mirën e futbollin europian.

Në këtë Kongres do të zgjidhen anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe anëtarët europianë të Këshillit të FIFA-s; ratifikimi i dy përfaqësuesve të Shoqatës Europiane të Klubeve (ECA) dhe një përfaqësuesi të Ligave Europiane (EL) si anëtar të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s; aprovimi i raportit financiar dhe buxhetit për periudhën 2021/22; amendamentet në Statutet e UEFA-s; ratifikimi i anëtarëve të rinj të organeve të UEFA-s për Administratën e Drejtësisë.