Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë për vajza: Kinostudio, Apolonia, Tirana e Vllaznia e nisin mbarë - FSHF

Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë për vajza: Kinostudio, Apolonia, Tirana e Vllaznia e nisin mbarë

Kupa e Shqipërisë për vajza ngriti këtë fundjavë siparin e edicionit të 14-të me katër ndeshjet e para të fazës çerekfinale. Të shtunën u luajtën dy takimet e para, Kinostudio – Partizani dhe Teuta – Tirana, teksa ditën e sotme u zhvilluan edhe dy ndeshjet e tjera çerekfinale, Laçi – Apolonia e Kukësi – Vllaznia.

Të shtunën, Kinostudio mundi Partizanin në takimin e parë të kësaj faze, në një ndeshje spektakolare që përfundoi me rezultatin 4-3 të Kinostudios. Takimi i dytë mes dy skuadrave do të zhvillohet javën e ardhshme, ku pritet të përcaktohet edhe gjysmëfinalisti i parë i këtij edicioni.

Sakaq, Tirana duket se ka siguruar një biletë për në gjysmëfinale pas fitores me shifrat e thella 9-2 kundër Teutës. Vajzat bardheblu realizuan gjashtë gola që në pjesën e parë të takimit, ndërsa në fraksionin e dytë shënuan edhe tre gola të tjerë.

Në sfidat e ditës së sotme, Apolonia triumfoi me rezultatin 6-0 në transfertën e Laçit. Dy skuadrat zhvilluan një ndeshje shumë të fortë, teksa pjesa e parë e lojës u përmbyll me shifrat 0-1, ndërsa në fraksionin e dytë, fieraket realizuan edhe pesë gola të tjerë.

Një rezultat me goleadë mori edhe Vllaznia, duke mundur Kukësin me shifrat 7-0. Një takim që foli vetëm për shkodranet gjatë gjjthë 90 minutave.

Ndeshjet e kthimit do të luhen javën e ardhshme, nga ku do të përcaktohen edhe 4 ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni.

Rezultatet e ndeshjeve të turit të parë eliminator:

Teuta 2-9 Tirana

Kinostudio 4-3 Partizani

Kukësi 0-7 Vllaznia

Laçi – Apolonia 0-6

Sipas skemës së re të përcaktuar nga Departamenti i Garave, në garë për të fituar Kupën e Shqipërisë për vajza janë 8 ekipe, ndërsa dy skuadrat e renditura në vendin e parafundit dhe të fundit, respektivisht Skënderbeu e Lushnja nuk do të marrin pjesë. Kjo skemë është përllogaritur në bazë të renditjes së skuadrave pas përfundimit të fazës së parë.