Broja gol fitoreje për Southampton në Premier League - FSHF

Broja gol fitoreje për Southampton në Premier League

Armando Broja vijon të dhurojë spektakël. Pas grumbullimit me Kombëtaren shqiptare në kuadër të dy ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për Botërorin “Katar 2022” ku shënoi edhe një gol ndaj Hungarisë duke i dhënë kuqezinjve 3 pikë, bomberi shqiptar ka shënuar sot golin e parë edhe me skuadrën e Southampton në Premier League në Angli.

Broja e nisi ndeshjen ndaj Leeds United si titullar, duke u aktivizuar që nga minuta e parë e takimit në Premier League.

Sulmuesi shqiptar kaloi në avantazh skuadrën e tij në minutën e 53-të të takimit, pasi shfrytëzoi më së miri një asist të Redmond, i cili dhuron një top të bukur brenda zonës për Brojën, i cili e shndërron në gol.

Ky nuk ishte rasti i parë për Brojën, i cili pati edhe një tjetër rast në pjesën e parë të takimit, duke dhuruar spektakël, pas driblimit të tri futbollistëve miq, por goditja drejt portës grushtohet nga portieri i Leeds.

Sipas uebsajtit të specializuar për statistika, Broja u vlerësua me notën 7.7, teksa doli nga fusha i dëmtuar në minutën e 82-të pasi mbështeti keq këmbën në një dyluftim ajror, duke i lënë vendin Theo Walcott.

Armando Broja po kthehet në një pikë kyçe jo vetëm për përfaqësuesen shqiptare por edhe për klubin anglez, pjesë e Premier League.