Botërori për femra/ Shqipëria mundet nga Norvegjia në “Air Albania” - FSHF

Botërori për femra/ Shqipëria mundet nga Norvegjia në “Air Albania”

Kombëtarja shqiptare e femrave ka zhvilluar sot në mbrëmje ndeshjen e radhës në eliminatoret e Botërorit “Australi – Zelandë e Re 2023” ndaj Norvegjisë. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Air Albania” përfaqësuesja kuqezi është mundur me rezultatin 7-0 nga ekipi norvegjez, që është favorit për t’u renditur i pari në Grupin F.

Trajneri Armir Grima e nisi ndeshje me këtë formacion: Rexhepi, Hila, Curraj, Maliqi, Hamidi, Elezaj, Krasniqi, Doçi, Gjini, Maksuti dhe  Franja. Norvegjezet kaluan në avantazh në minutën e 23-të me anë të Leonhardsen-Maanum pas disa rasteve.

Pjesa e parë u mbyl me rezultatin 1-0 për ekipin mik, ndërsa në pjesën e dytë Norvegjia shënon edhe 6 gola të tjera (Reiten 60′, Thorisdottir 62′, Saevik 72′,  Leonhardsen-Maanum 78′, Hasund 81′, Terland 84′). Trajneri Grima bën disa zëvendësime duke hedhur në fushë forca të freskëta, por nuk arrin të ndryshojë situatën në fushë.

Pas kësaj ndeshjeje, Shqipëria mbetet në vendin e pestë në Grupi F të eliminatoreve me vetëm 4 pikë, ndërsa Norvegjia merr kreun e grupit duke shkuar në kuotën e 13 pikëve.

Më datë 30 nëntor, Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës në transfertë ndaj Kosovës.