Kombëtarja shqiptare ka luajtur mbrëmjen e sotme ndeshjen e parafundit të kualifikueseve të Botërorit “Katar 2022” ndaj Anglisë në stadiumin e Wembley-t.
Skuadra e drejtuar mga trajneri Edy Reja u mund me rezultatin final 0-5, me të gjithë golat që u shënuan në pjesën e parë të sfidës.
Me fillimin e lojës, në minutat e para, trajneri Reja detyrohet të bëjë dy zëvendësime të shpejta, duke nxjerrë nga loja Keidi Baren dhe Marash Kumbullën për shkak të problemeve fizike dhe në lojë futet Qazim Laçi dhe Kastriot Dermaku.
Anglezët kaluan në epërsi që në minutën e 8-të të takimit me Harry Maguire. Në minutën e 14-të, Myrto Uzuni humbi një rast mjaft të mirë, teksa i vetëm me portierin nuk ia doli ta dërgojë topin në rrjetë. Më tej për anglezët shënon edhe Harry Kane, i cili realizon edhe dy gola të tjerë përgjatë 45 minutëshit të parë. Goli tjetër i Anglisë u shënua nga Henderson, me kundërshtarët që e mbyllin fraksionin e parë të lojës në avantazhin e pesë golave.
Në fraksionin e dytë të ndeshjes kuqezinjtë mundohen të kenë më shumë kontroll në lojë, por pa ndryshuar dot rezultatin e kësaj sfide.
Shqipëria mbyll kështu përfundimisht ëndrrën “Katar 2022” teksa ditën e hënë do të luajë ndeshjen e fundit të këtij edicioni ndaj Andorrës në stadiumin “Air Albania”.
Angli 5-0 Shqipëri
Shqipëria : Thomas Strakosha, Ardian Ismajli , Marash Kumbulla, Frederic Veseli , Elseid Hysaj (C), Keidi Bare, Klaus Gjasula, Lorenc Trashi , Myrto Uzuni , Sokol Cikalleshi , Nedim Bajrami
Trajner: Edoardo Reja

















