Botërori 2023 për femra/ Grima: Vlerësim maksimal ndaj Armenisë, s’e kemi grupin e plotë - FSHF

Botërori 2023 për femra/ Grima: Vlerësim maksimal ndaj Armenisë, s’e kemi grupin e plotë

Kombëtarja shqiptare e femrave ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Skuadra e drejtuar nga Armir Grima gjendet e grumbulluar në Durrës dhe ka nisur dhe përgatitjet e stërvitjet intensive në prag të sfidës së parë ndaj Armenisë që do të luhet më 21 tetor në stadiumin kombëtar “Air Albania”.

Trajneri Armir Grima, pasi shpalli listën me futbollistet e thirrura për këto dy ndeshje, është prononcuar ditën e sotme për fshf.org, ku është shprehur se grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë në këto dy ndeshje nuk është i plotë për disa arsye ndërsa thekson se pavarësisht kësaj, vajzat e grumbulluara janë në gjendje të mirë fizike.

“Te grupi që kemi thirrur nuk janë të gjitha vajzat në dispozicion. Kemi vajza që janë të dëmtuara por edhe të larguara nga futbolli. Grupi nuk është i plotë, por kemi besim tek aftësitë e këtyre vajzave që kemi. Besoj që lojtaret kryesore gjendjen fizike e kanë të mirë, në përgjithësi grupi e ka gjendjen fizike të mirë, me ato aftësi dhe mundësi që kanë vajzat. Një gjendje, në parametrat e duhur për të përballuar ndeshjet”.

Tekniku kuqezi komentoi edhe rivalin e parë me të cilën do të ndeshet Kombëtarja shqiptare, Armeninë, duke e cilësuar si një rival të vështirë që do përqëndrimin e duhur për ta mundur. I gjithë fokusi i skuadrës është kjo sfidë, teksa më pas do të mendojnë edhe për transfertën e Polonisë.

“Besoj se na pret një ndeshje e vështirë. Armenia, pavarësisht se nuk ka ndonjë emër në futbollin e femrave dhe pse është në një vazo me ne, është një ekip i vështirë. Ka pasur rritje dhe do një vlerësim maksimal për ta kaluar me sukses ndeshjen. Duhet të plotësohemi akoma si ekip.

Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të kemi edhe dy vajza të tjera që të pajisen me pasaportë shqiptare dhe besoj se atëherë do të jemi më të plotë. Ndërsa tani jemi si gjysmë grupi, jo i plotë. Objektivi ynë është të fitojmë këtë ndeshje dhe më pas të mendojmë për Poloninë që është pas kësaj. Gjithçka është e fokusuar te ndeshja me Armeninë”, – përfundoi fjalën e tij trajneri i Kombëtares për femra, Armir Grima.