Botërori 2023, Gjini & Hamidi: Jemi grup i mirë. Ta nisim mbarë ndaj Kosovës - FSHF

Botërori 2023, Gjini & Hamidi: Jemi grup i mirë. Ta nisim mbarë ndaj Kosovës

Shqipëria e femrave do të luajë ditën e nesërme ndeshjen e parë eliminatore ndaj Kosovës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”. Në prag të kësaj sfide që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, në ora 19:00, kanë dalë ditën e sotme në një konferencë për mediat Luçije Gjini dhe Mimoza Hamidi.

Në fjalën e saj, Gjini ka theksuar se fokusi kryesor i ekipit është ndeshja e parë ndaj Kosovës, e më pas skuadra do të mendojë për transfertën e Belgjikës. Pavarësisht grupit të vështirë ku është shortuar Shqipëria, mbrojtësja kuqezi u shpreh se skuadra do të japë maksimumin, teksa në fund ftoi të gjithë tifozët t’i mbështesin ditën e enjte në stadium.

Objektivi i skuadrës në ndeshjet ndaj Kosovës & Belgjikës? – Objektivi kryesor për këto dy ndeshje është ta nisim me këmbë të mbarë. Fokusi kryesor është te ndeshja me Kosovën, duke qenë se është edhe ndeshja e parë për këto eliminatore. Mendoj se do bëjmë një paraqitje të mirë, ku objektiv është edhe të fitojmë ndeshjen dhe të marrim 3 pikët.

Atmosfera në skuadër? – Grupi është i mirë, harmonia në ekip vazhdon të jetë e mirë. Shumica e vajzave që jemi në skuadër njihemi, pasi kemi një kohë të gjatë që luajmë bashkë me njëra-tjetrën dhe ia njohim shumë mirë lojën njëra-tjetrës. Mendoj se do të bëjmë më të mirën, që të paraqitemi sa më mirë në këto eliminatore.

Grupi F? – Duke parë edhe rritjen e fundit të Kombëtares tonë, mendoj se do paraqitemi sa më mirë, edhe pse dihet se grupi është shumë i vështirë, do të përballemi me ekipe të vështira. Por nuk do jemi më një ekip që pretendojmë më vetëm të jemi në të njëjtin nivel, por do kemi arritje për t’u renditur sa më lart.

Thirrje për tifozët e Kombëtares – I bëj thirrje tifozëve të vijnë të na mbështesin sepse ata janë një motiv plus për ne për të luajtur sa më mirë dhe për të arritur rezultate sa më të mira.

Mimoza Hamidi, sulmuesja kuqezi që luan në radhët e Bazelit në Zvicër shprehet se ekipi po mendon fillimisht vetëm ndeshjen kundër Kosovës, ndërsa shpreson të marrë rezultate pozitive në të dyja ndeshjet. Ajo thekson se skuadra do të japë maksimumin në ndeshjet e grupit F.

Dy ndeshjet e shtatorit? – Fokusi kryesor është së pari Kosova, ta nisim me këmbë të mbarë ndaj Kosovës dhe sigurisht që do të përgatitemi për ndeshjen tjetër kundër Belgjikës.

Skuadra? – Gjendja e ekipit është shumë e mirë, kemi harmoni me njëra-tjetrën dhe po përgatitemi shumë mirë për këto dy ndeshje. Shpresojmë se do të kemi rezultate pozitive.

Niveli i grupit ku është shortuar Shqipëria? Dihet që këto ekipe janë shumë të forta, nuk është grup i lehtë, por do të japim maksimumin në këto ndeshje.

Thirrje për tifozët – I ftoj të gjithë tifozët të vijnë të na përkrahin në “Elbasan Arena”, pasi janë motiv për ne.