Bomberi Cikalleshi! Shënon dhe i jep fitoren Koniasporit - FSHF

Bomberi Cikalleshi! Shënon dhe i jep fitoren Koniasporit

Një tjetër lojtar kuqezi e ka nisur mbarë sezonin futbollistik. Bëhet fjalë për Sokol Cikalleshin, futbollisti i Koniasporit që arriti të gjejë golin që në ndeshjen e parë miqësore me ekipin turk duke  i dhënë fitoren skuadrës së tij.

Në ndeshjen kundër Antaliasporit, sulmuesi kavajas bëri një paraqitje mjaft të mirë. Një gabim i kundërshtarit ka bërë që lojtari më i ri i Koniasporit, njëkohësisht edhe futbollist i Kombëtares shqiptare, Endri Çekiçi, të përfitojë, duke “asistuar” dhe duke e dërguar topin në këmbët e Cikalleshit, i cili nuk fal dhe shënon në minutat shtesë të kohës së plotë.

Një nisje e mirë e Sokol Cikalleshit, i cili ka qenë protagonist absolut edhe sezonin e kaluar me Koniasporin, duke qenë vendimtar në disa ndeshje, por edhe një debutim i mirë për Çekiçin, i cili luajti ndeshjen e tij të parë në radhët e ekipit turk, pak ditë pasi u transferua nga skuadra e Ankaraguxhu.

Gjithashtu edhe një lajm i mirë për teknikun Edi Reja, i cili do të ketë gati në shtator disa golashënues, duke pasur parasysh që në javët e fundit kanë shënuar edhe Rei Manaj me Barcelonën, Armando Broja me Çelsin si dhe Myrto Uzuni me Ferencvarosh.