Arritje e shkëlqyer! Klubet shqiptare kalojnë në turin e dytë të Conference League - FSHF

Arritje e shkëlqyer! Klubet shqiptare kalojnë në turin e dytë të Conference League

Laçi, Vllaznia dhe Partizani, tre skuadrat shqiptare që luajtën turin e parë të kompeticionit më të ri të organizuar nga qeveria europiane e futbollit, UEFA Conference League do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre pas paraqitjeve pozitive.

Edhe ekipi i Teutës, që u eliminua që në raundin e parë të UEFA Champions League do të vazhdojë të jetë pjesë e kompeticioneve europiane, ku do të luajë në raundin e dytë të Ligës së Konferencave.

Skuadra e Laçit e drejtuar nga tekniku Shpëtim Duro arriti të kthejë rezultatin me përmbysje, pas humbjes në sfidën e parë në transfertë. Koha e rregullt e ndeshjes u mbyll me rezultatin 1-0, me një gol të Ardit Deliut, i cili barazoi shifrat, duke e dërguar sfidën në minutat shtesë, ku skuadra bardhezi shënoi edhe dy gola të tjerë me anë të Lushkjas dhe Prengës. Një ndeshje perfekte e zhvilluar nga Laçi, që në turin e dytë të këtij kompeticioni do të përballet me Universitatea Craiova.

Partizani i Ilir Dajës i kishte thuajse të mbyllura llogaritë që në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan, pas triumfit 5-2 ndaj skuadrës moldave të Sfintulit. Sfida e zhvilluar ditën e enjte në Moldavi u fitua sërish nga të kuqtë, me shifrat 2-3, duke siguruar kështu kalimin në raundin e dytë të UEFA Conference League. Në këtë raund, Partizani do të përballet me ekipin e Bazelit.

Edhe Vllaznia zhvilloi një ndeshje të madhe në Shkodër, teksa arriti të përmbysë humbjen e parë ndaj Široki Brijeg, pas një ndeshjes së parë të mbushur me polemika nga skuadra shkodrane. Sfida e parë e luajtur në Bosnjë & Hercegovinë u mbyll në favor të boshnjakëve, me shifrat 1-3, teksa mbrëmjen e së enjtes, në ndeshjen e zhvilluar në Shkodër, veriorët fituan me rezultatin 3-0, shoqëruar edhe me një paraqitje mjaft të mirë të ekipit shkodran. Në raundin e dytë, Vllaznia do të luajë skuadrës qipriote të AEL Limassol.

Skuadra durrsake e Teutës, pasi luajti në turin e parë të UEFA Champions League dhe u eliminua nga skuadra e Sherif Tiraspolit, ka kaluar në raundin e dytë të UEFA Conference League, ku do të luajë ndaj ekipit të Inter Club d’Escaldes.