Akuzat e tifozëve të Lacios ndaj Hysajt, reagon Duka: Dhuna ideologjike s’ka vend në futboll! - FSHF

Akuzat e tifozëve të Lacios ndaj Hysajt, reagon Duka: Dhuna ideologjike s’ka vend në futboll!

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj ka rënë pre e akuzave dhe sulmeve verbale të tifozëve të Lacios vetëm sepse ai u shfaq në një video ku këndonte këngën ‘’Bella Ciao’’ teksa ishte me shokët e skuadrës së tij të re.

Një gjest i ulët nga tifozët lacialë që është dënuar nga e gjithë bota e sportit, por edhe politikanë ndërkohë që ka ardhur edhe reagimi i menjëhershëm i Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili është solidarizuar me mbrojtësin shqiptar. Në një postim në faqen e tij në Facebook, presidenti Duka shkruan se  fakti që Hysaj ka kënduar një këngë, as e cenon e as i jep të drejtë askujt që të vërë në dyshim personalitetin e tij.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar thekson se vlerat e Hysajt do të triumfojnë përballë dhunës verbale e ideologjike, që nuk kanë asnjë lidhje me futbollin dhe vlerat e këtij sporti magjik.

“I dashur Elsi! Ti je dhe do të mbetesh jo vetëm një futbollist i mrekullueshëm, por edhe një personalitet i botës së futbollit. Fakti që ke kënduar një këngë, as e cenon e as i jep të drejtë askujt që të vër në dyshim personalitetin tënd. Jam koshient se vlerat e tua do të triumfojnë përballë dhunës verbale e ideologjike, që nuk kanë asnjë lidhje me futbollin dhe vlerat e këtij sporti magjik. Vazhdo puno e stërvitu, jep më të mirën tënde siç ke bërë gjithmonë. Ne të gjithë të duam e të mbështesim”, – shkruan Presidenti Duka në reagimin e tij.