5x5/ Regjistrohen fitore të thella në zonën e Tiranës. ‘Ethet’ e garës nisin të ndihen edhe në Durrës - FSHF

5×5/ Regjistrohen fitore të thella në zonën e Tiranës. ‘Ethet’ e garës nisin të ndihen edhe në Durrës

Kampionati i futbollit 5×5 në zonën e Tiranës vijon të zhvillojë me sukses ndeshjet sipas kalendarit të hedhur në fillim të sezonit. Ndeshjet e kësaj jave kanë sjellë jo vetëm gola, por edhe emocione për të gjitha skuadrat në grupet e kësaj zone.

Në grupin B, Sony AD është ekipi i vetëm që renditet në krye të klasifikimit, teksa këtë javë mori një tre pikësh me vlerë pasi mundi me shifrat minimale 1-0 Barrikadën. Sakaq, në tre ndeshjet e tjera të grupit, u realizuan në total 33 gola, me ekipin e Kafja Rremës që shënoi në total 9 gola.

Ndërkaq, në grupin C, Futshoë ndali ecurinë pozitive këtë javë, teksa u mund me shifrat 3-4 nga Vila L, që merr kreun e renditjes me 9 pikë pas tre javësh. Vikingët morën fitoren e parë në grup, teksa mposhtën me shifrat 3-1 ekipin e Unazës së Re, ndërsa Fc Tigres siguroi fitoren e tretë radhazi pasi mundi skuadrën e Old Friends-ave me shifrat 4-3. Jata Market regjistroi rezultatin më të thellë këtë javë në të gjitha grupet, teksa mposhti me shifrat 16-1 IEBV.

Një kampionat i fortë vazhdon edhe në grupin E. Prestige B triumfoi me shifrat e thella 14-2 ndaj Inxhinierisë së Ndërtimit, ndërsa Elso ndali ekipin e Dok Team, duke i mposhtur me rezultatin 7-6. Në krye të renditjes në këtë grup renditen Prestige B dhe Porto Lalzi, me këta të fundit që mundën Pastarinë me shifrat 7-4.

Tirana 5×5 dhe Shqiponja kanë marrë fitoret e treta radhazi në grupin D, pasi mposhtën respektivisht Mozaikun dhe Royals. Dy skuadrat renditen me nga 9 pikë në krye të klasifikimit në këtë grup, teksa Joka Dent 5×5, Tulipanët dhe Homeland Albania arritën fitoret e para në këtë sezon të ri.

Nabuço Lounge regjistroi fitoren më të thellë në grupin F, duke mundur Luem me rezultatin 14-4. Sakaq, Prestige MFC renditet i vetëm në krye të klasifikimit, pasi hapit negativ të Tv Klan që u mund nga KF Erniku GS me shifrat 9-2.

Edhe në grupin G, për momentin është vetëm Julton që kryeson renditjen me pikë të plota pas tre javësh. Djemtë e Julton mundën me shifrat 8-3 Tirana Conference Service, ndërsa me rezultate pozitive kanë vijuar këtë javë edhe Beautiful Albania, Autoclinic dhe Kastriotët.

Prej një jave, kampionati ka nisur edhe në Durrës, i organizuar në dy grupe. Sallamani SC u ndal këtë javë në barazimin 4-4 me KS1, ndërsa KKF fitoi 13-1 ndaj FC Tunning.