2022 i mbarë! Shënojnë Balliu e Gjasula, protagonistë në Europë edhe Shpresat! - FSHF

2022 i mbarë! Shënojnë Balliu e Gjasula, protagonistë në Europë edhe Shpresat!

Viti 2022 ka nisur i mbarë për një pjesë të lojtarëve të Kombëtares, të cilët përveç se kanë pasur minuta nën këmbë me klubet e tyre në Europë, kanë qenë edhe protagonistë duke arritur të shënojnë gola.

Ivan Balliu e Klaus Gjasula, futbollistët e ekipit Kombëtar A kanë gjetur rrugën e rrjetës me skuadrat respektive në Spanjë e Gjermani. Në Ligën spanjolle, mbrojtësi kuqezi, Ivan Balliu ka shënuar golin e barazimit për Rayo Vallecano-n, duke i dhënë një pikë ekipit të tij në ndeshjen e zhvilluar ndaj Real Betis. Balliu e shfrytëzoi mjaft mirë rastin, teksa i gjendur përballë portës kundërshtare e dërgoi topin në rrjetën kundërshtare, teksa u vlerësua nga uebsajti i specializuar për statistika, “SofaScore” me notën 8.1, duke qenë kështu edhe futbollisti më i mirë i ndeshjes nga të dyja skuadrat. Ndërkaq, Klaus Gjasula, pjesë e ekipit të Damstad në Gjermani realizoi golin e dytë për skuadrën e tij në miqësoren ndaj Regensburg.

Ndërkohë, protagonistë në kampionatet europiane kanë qenë edhe dy prej lojtarëve të Shpresave. Anis Mehmeti vijon të bëjë paraqitje të mira me Wycombe Wanderers në Ligën e parë angleze. Në ndeshjen ndaj Sunderland-it, Mehmeti arriti të realizojë një super gol në minutën e 13-të, teksa mori topin bukur duke e goditur nga jashtë zone dhe duke barazuar përkohësisht shifrat për skuadrën e tij. Edhe Indrit Tuci ka gjetur rrugën e rrjetës në Kroaci, teksa ka shënuar golin e katërt për Lokomotivën e Zagrebit në një ndeshje miqësore.


Duke kontrolluar karten...