FSHF dhe Union Bank rinovojnë marrëveshjen e sponsorizimit - FSHF

FSHF dhe Union Bank rinovojnë marrëveshjen e sponsorizimit

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Union Bank nënshkruan marrëveshjen e sponsorizimit për periudhën 2016-2018, që rinovon mbështetjen e kësaj banke për Kombëtaren shqiptare të futbollit që prej vitit 2010.

Marrëveshja e arritur përkon me 10-vjetorin e fillimit të aktivitetit të bankës me kapital shqiptar, Union Bank, pjesë e Union Group, dhe pjesëmarrjes së Kombëtares në ngjarjen më të rëndësishme të historisë së saj, finalet e Kampionatin Evropian “Francë 2016”.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pasi firmosi rinovimin e marrëveshjes me Drejtorin e Përgjithshëm të Union Bank, Gazmend Kadriu, shprehu kënaqësinë e tij për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi me atë që ai cilësoi si dashurinë e parë të FSHF-së.

“Jam i kënaqur që sot rikonfirmojmë një bashkëpunim, mund të them me dashurinë e parë të Federatës Shqiptare të Futbollit, sepse Union Group është sponsori i parë që ka njohur futbolli shqiptar që nga vitit 1999. Dhe për këtë unë jam shumë i kënaqur, që jo vetëm në ditë të mira si këto, por edhe në ditë të vështira, ky grup ka qenë pranë futbollit, e ka mbështetur atë dhe ka ndihmuar zhvillimin e këtij sporti në Shqipëri”, tha Presidenti Duka.

Ndërsa, Presidenti i Union Bank, Niko Leka theksoi sportin e vazhdueshëm që i është dhënë Kombëtares së futbollit nga kompanitë e Union Group, duke filluar nga viti 1999 e deri më sot. Ai ndau me të pranishmit në këtë ceremoni krenarinë që Union Bank, gjatë shumicës së historisë së vet të suksesshme 10-vjeçare, ka qenë shoqëruese e pandarë e Kombëtares së futbollit, suport të cilin do të vijojë ta japë pa kursim edhe në vitet që vijnë.

Gjatë eventit u prezantua edhe produkti më i ri i Union Bank, karta“Jam Kuq e Zi”, e cila është një kartë krediti Master Card në Euro që ofron në të njëjtën kohë dhe anëtarësim automatik në klubin Tifozët e Kombëtares pranë FSHF.


Duke kontrolluar karten...