KOMBËTARJA U-21 HUMBET ME SLLOVAKINË, DY GOLAT E MANAJT NUK MJAFTOJNË - FSHF

KOMBËTARJA U-21 HUMBET ME SLLOVAKINË, DY GOLAT E MANAJT NUK MJAFTOJNË

Dy herë në avantazh, por sërish kombëtarja e U-21 e pëson në fund. Një përmbysje në fund të takimit në 2-3, nga avantazhi momental 2:1 që arriti në startin e pjesës së dytë fiksoi humbjen për ekipin e Bushit. Përfaqësuesja e 21-vjeçarëve shqiptarë e kontrolloi mirë lojën, ndonëse dukej qartë që terreni i rënduar ndikoi jo pak.

Nga ana tjetër, sllovakët kërcënuan vetëm në një rast nga distancë në pjesën e parë, por që topi u grushtua nga portieri shkodran Alen Sherri. Goli i avantazhit për Shqipërinë do të vijë në minutën e 44-ër, ku në një aksion të bukur të skuadrës së Bushit, pas një shkëmbimi topi mes Cekës dhe Manajt, sulmuesi lushnjar arrin të zhbllokojë rezultatin dhe të çojë skuadrën në dhomat e zhveshjes, në avantazhin e një goli.
Në fillimin e pjesës së dytë, Spalek barazon rezultatin për miqtë nga Sllovakia, pas një krosimi të ardhur në zonë, që la të shtangur mbrojtësit e skuadrës së Shqipërisë. Por, menjëherë pas 5 minutash është sërish Rey Manaj që kalon në avantazh kombëtaren tonë: Taulant Seferi futet në zone dhe shërben sërish për Manajn, dhe ky i fundit riktheu edhe njëherë Shqipërinë në avantazh. 2:1.

Ka edhe një moment që futbollistët shqiptarë kërkojnë 11-metërsh për një faull në zonë karshi Çekiçit, por arbitri vazhdon lojën. Sllovakia vetëm në minutën e 80’-të arrin të barazpeshojë shifrat duke kapur në befasi mbrojtjen dhe duke barazuan rezultatin në 2:2. Pas një rrëmuje në zone, në minutën e 87’, Mraz, po për sllovakët arrin të shënojë në portën e Sherrit. Gjithçka mbyllet 2-3. Skuadra kombëtare shqiptare e U-21 mbetet në vendin e 5-të të renditjes, me 6 pikë në po kaq takime. Shqipëria, ndeshjen e ardhshme e luan sërish ndaj sllovakëve, por këtë herë në Sllovaki, më datë 27 Mars.