Kategoria Superiore U-17 / Përcaktohen dy çiftet gjysmëfinaliste - FSHF

Kategoria Superiore U-17 / Përcaktohen dy çiftet gjysmëfinaliste

Kategoria Superiore U-17 ka luajtur ditën e hënë dhe të martë ndeshjen çerekfinale të këtij sezoni emocionues, që po shkon drejt fundit. Tetë skuadrat më të mira të Grupeve A dhe B u përballën ndërmjet tyre në fazën play-off dhe sot kemi dy çiftet gjysmëfinaliste, që do të luajnë për të arritur finalen e madhe.

Shkëndija Tiranës kishte përballë Vorën në një ndeshje shumë të luftuar, që u mbyll vetëm me një gol të shënuar në minutën 12-të nga Kasmollari për Shkëndijën e Tiranës. Vora u mundua shumë të gjejë golin e barazimit, që do të ndryshonte fatin e kualifikimit, por Shkëndija rezistoi mirë dhe arriti të kualifikohet për në gjysmëfinale, ku do të përballet me Akademinë e Futbollit.

Akademia mundi pastër dhe pa e diskutuar asnjë moment kualifikimin Tiranën. Dijar Nikqi ishte heroi për skuadrën e tij duke shënuar dy herë në minutat 21’ dhe 71’, ndërkohë që goli tjetër u shënua me penallti nga Halilaj në minutën e 49-të. Tre gola që garantojnë se ndeshja gjysmëfinale do të jetë spektakolare dhe e luftuar deri në minutën e fundit.

Internacional Tirana – Apolonia është ndeshja tjetër gjysmëfinale e sezonit 2020-2021. Kryeqytetasit mundën pastër 5-1 rivalët e Football Republic, në një ndeshje që u dominua totalisht nga portokallinjtë. Goli i parë erdhi nga Ersi Syla në minutën e 24-të, ndërkohë që 10 minuta më pas Guci shënoi golin e dytë dhe të sigurisë për ta çuar skuadrën e tij në pushim me avantazhin 2-0. Fraksioni i dytë i lojës ka të njëjtën panoramë, me Internacional që vazhdon kontrollin e lojës dhe shënon 3 gola radhazi me Gucin, Sotën dhe Bockën në minutat 53’, 58’ dhe 65’. Football Republic gjen golin e nderit në minutën e 68-të nëpërmjet penalltisë së Hodos.

Apolonia është skuadra që arrin në gjysmëfinale, pas një sfide plot gola, emocion dhe garë të pastër sportive deri në minutën e fundit përballë një Shënkolli, që gjithashtu zhvilloi një sezon të mirë, por u detyrua t’i dorëzohet supremacisë fierake, me ndeshjen që u mbyll 4-2. Lezhjanët kaluan dy herë në avantazh në pjesën e parë me Dedën dhe Përndrecën, por dy herë u arritën nga bardhejeshilët me gola të Kurtit dhe Pucit. Në barazim 2-2 u mbyll fraksioni i parë i lojës ndërkohë që i dyti nisi menjëherë me gol.

Autori i golit të parë për Apoloninë, Kurti, kaloi për herë të parë në avantazh skuadrën e tij duke e ҫuar rezultatin në 3-2. Shënkolli kërkoi me ngulm golin e barazimit por nuk ishte me fat duke parë që goditën dhe një shtyllë. Kur gjithҫka dukej se po përfundonte, Apolonia gjeti dhe golin e katërt e të fundit të ndeshjes që erdhi nga Kamshi i Shënkollit, i cili shënoi në portën e tij në tentativë për të larguar topin.

Internacional-Apolonia duket si një përsëritje e dy ndeshjeve finale të U-15 dhe U-19 që kanë pasur në vitet e fundit dhe parashikohet një ndeshje shumë emocionuese.

Kështu, çiftet gjysmëfinaliste të Kategorisë Superiore U-17 për këtë sezon janë:

Shkëndija Tiranës-Akademia e Futbollit, 16 maj, ora 16:30

Internacional-Apolonia, 16 maj, ora 16:30